E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosmarrëveshja e Edi Ramës me shqiptarët

30-12-2012 / Nga Leonard Quku

Kush e ka lexuar librin e shkrimtarit më të madh shqiptar, Ismail Kadare, “Mosmarrëveshja” (botim i dytë, i ri-parë prej autorit), e kupton fare mirë se çështja e integrimit të Shqipërisë në BE, është shndërruar mirëfilltazi në “mosmarrëveshje”. Kjo sepse, së pari, në rrugën e gjatë dhe të vështirë të tranzicionit nëpër të cilin ka kaluar Shqipëria, gjithnjë janë artikuluar teza të ndryshme apatride, të njohur ndryshe në zhargonin popullor, “gurët nën rrota”, thjesht e vetëm për ta bërë integrimin në BE, një ëndërr utopike. Së dyti, shkak pasojë e së parës, një Shqipëri me ndikim oriental i intereson një pjese të mirë të qarqeve politike dhe akademike, të lidhur pandashmërisht mes veti. Këta janë shndërruar në vemje që prej rënies së diktaturës dy dekada më parë, dhe kanë mbijetuar në skenën politike dhe akademike shqiptare, falë antikombëtarizmit të tyre i sponsorizuar pikërisht nga mbetjet e diktaturës hoxhiste që sot kamuflohen te partitë politike kinse ‘demokratike’ të të majtës. Kjo qasje Haxhi Qamiliste, përbën mosmarrëveshjen e parë dhe sloganet e sotme që s’janë as më shumë e as më pak se thirrjet “dumbabiste” 100 vjet më parë, në thelb kërkon ta “përmirësojë” imazhin oriental të Shqipërisë. Ka një tendencë mohuese të identitetit kulturor, letrar, historik dhe europian të shqiptarëve. S’do mend të kuptohet se gjurmët e bolshevizmit stalinist janë ende të gjalla dhe të freskëta në memorien e etërve dhe pinjollëve të nomenklaturës hoxhiste dhe për këtë është angazhuar i gjithë arsenali i propagandës komuniste, për t’i mohuar Shqipërisë dhe shqiptarëve integrimin në familjen e madhe evropiane. Sikurse e majta politike dhe klika ideologjike e saj, në 20 vite tranzicion gjithnjë është orientuar (qëllimdashësa), drejt tezave trashëgimtare të saj, që vënë në pikëpyetje identitetin evropian të shqiptarëve. Jo se nuk njohin historinë dhe personazhet e saj kontribuuese për Shqipërinë Europiane, elitat politike shqiptare, patriotë dhe diplomatë të shquar, por se një identitet oriental i shqiptarëve, i hap rrugë asimilimit antievropian të Shqipërisë dhe ri-sjell në aktualitet regjimin e batakçinjve. Ndoshta historia jonë na ofron episode të turbullta dhe anakronike që nga prejardhja Ilire, diskutimet rreth figurës së Skënderbeut, lënia në harresë e arkitektëve të pavarësisë dhe të atyre që formuan shtetin e vërtetë shqiptar. Gjysmë shekull histori politike (‘45-’90), është shfrytëzuar në funksion të freskllëkut të pushtetarëve të kohës dhe mitizimit të atyre figurave historike që i interesonin pushtetit diktatorial, por gjithnjë vëmendja dhe investimi më i madh shkonte drejt tëhuajësimit të identitetit kulturor europian i shqiptarëve. Në një pamje përgjithësuese s’mund të mohohet që ka një sjellje ogurzezë, konjukturale dhe me të njëjtën patologji politike, për ta lënë vendin jashtë sferës së ndikimit të Bashkimit Evropian. Arsyeja fshihet gjetkë, sado e shoqëruar nga kompleksiteti dhe sfondi i ndërlidhur me situatën politike brenda vendit, gjithsesi ajo që “shndërrin” negativisht, është se Shqipërisë po i mohojnë aderimin në familjen e madhe europiane. Shansi i fundit i humbur, është më flagranti në historinë e mbrapshtë të klikës antishqiptare, pasi siç e tha edhe komisioneri Fyle, Shqipëria ishte shumë pranë, por ishin tre ligje të pavotuara nga Partia Socialiste, ato të cilat e shtynë vendimin e Këshillit të BE, për një datë tjetër, gjithnjë e më të vonë...

***
Ka dhe një “sjellje” primitive për ta cilësuar bllokimin e integrimit si një keqkuptim mes elitave politike, mazhorancës dhe opozitës. Ky (keqkuptimi), nënkupton zgjidhjen e problematikës përmes parimit bizantin “më jep, të të jap”..., pra PS e shantazhon statusin e kandidatit me pazare të rëndomta, prej të cilave “gjuan” karrigen e kryeqeveritarit. Në këtë drejtim, integrimi është shndërruar në “mosmarrëveshje”, jo politike, por mes Edi Ramës si përfaqësues i partisë më të madhe opozitare dhe shqiptarëve. E njëjta luftë mosmarrëveshje ishte edhe me integrimin në NATO. Edi Rama s’hezitoi ta paraqesë Shqipërinë dhe shqiptarët në sytë e perëndimorëve, europianëve dhe amerikanëve, si shtet dhe popull i padenjë për aderimin në NATO dhe se, disa prej vendeve anëtare do votojnë kundër anëtarësimit... Kjo nuk ndodhi, por nga ana tjetër, mosmarrëveshjet e Ramës me shqiptarët u thelluan dhe kjo u pa në humbjen e zgjedhjeve nga PS në 2009-ën. I njëjti intensitet propagandistik iu kundërvu liberalizimit të vizave. Qëndrimet dhe deklaratat rrëqethëse se me heqjen e vizave për qytetarët shqiptarë, drejt vendeve të “Schengen”-it do të eksportohet një kontingjent i theksuar kriminal si dhe plot 1 milionë të papunë. Sërish Edi Rama u ndëshkua, duke humbur edhe pushtetin e fundit keqbërës që kishte në zotërim, Bashkinë e Tiranës.
Aktualisht, “mosmarrëveshja” është në nivele të tej-fryra. Bllokimi i integrimit në BE s’mund të harrohet lehtë nga 4 milionë qytetarët shqiptarët, apo afro 1.8 milionë votuesit (këtu përfshihen ata që votojnë rregullisht). Pavarësisht se Edi Rama në takime konfidenciale me zyrtarë të BE-së në Tiranë, por edhe në Bruksel kërkon që t’ia ngarkojë Gramoz Ruçit bllokimin e statusit, (pasi bllokimi i tij erdhi për shkak të qarkut të Fierit, ku Ruçi është deputet, i pari në listën e PS), kjo kreut të PS nuk i heq asnjë përgjegjësi si antistatus. Dhe kësisoj, pa patur asnjë pikëpyetje rreth orientimit elektoral, “mosmarrëveshja” e Edi Ramës me shqiptarët mbyll funksionet e saj në 23 qershor të 2013-s, me përfundimin e tij në listën e maskarenjve të urryer të kombit shqiptar.

***
Këshilltarët e kryesocialistit thonë nën zë se shpresat për një rezultat pozitiv në 2013-ën, i kanë te programi ekonomik. Sikurse pranojnë gjithashtu, se modeli ekonomik i Ramës nuk ndryshon shumë nga ai diktatorit venezuelian, Hugo Chaves. Sot, Edi Rama ka në dorë një platformë që nuk la lidhje me aktualitetin social-ekonomik të Shqipërisë. Propagandon nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim një dokument, për “rilindjen”, siç e quan ai, duke harruar se ai pamflet i mbushur me dalldisje nervore kundër investitorëve dhe biznesit, është vepër e “marksizmit” oriental, i cili njëherazi është përgjegjës për instalimin në Shqipëri të regjimit gjakatar komunist. Të njëjtën gjë bëri dhe po bën marksisti Chaves. Ç’mund të thuhet për një platformë ekonomike që synon kinse “të rrisë të ardhurat buxhetore”, për interesa të pushtetarëve (!), duke mbyllur biznese dhe shkatërruar mijëra vende të pune? Kjo meriton vëmendje. Kryesocialisti dhe ndjekësit e tij të “marksizmit” po u thonë shqiptarëve se, “pasi ne të vijmë në pushtet, do rrisim taksat”- “do çojmë drejt mbylljes mijëra biznese” si dhe, “mijëra nga ju që sot jeni të punësuar në një biznes apo në një tjetër, nesër do jeni të papunë”. Dashje pa dashje, sa hap e mbyll sytë, kjo është doktrina ekonomike e Partisë Socialiste, që për ironi të fatit as mohohet e as aprovohet nga ekspertët e saj ekonomikë, të cilët të gjendur përballë presionit të Edi Ramës për karrigen e pushtetit, kanë miratuar në heshtje planin për degradimin e sistemit ekonomik të Shqipërisë. Pikërisht mbytja e debatit politik, pa gjuhë shkencore, por me ligjërim banal në ngritjen e akuzave dhe nxitjen e stereotipave për të baltosur formacionin qeveritar si deputetët e mazhorancës, ministrat dhe kryeministrin – pa lenë jashtë fokusit të ligjërimit banal dhe patetik as familjarët e tyre, kërkojnë veç të manipulojnë egërsisht, për të krijuar kushtet e një falsifikimi të madh, rikthimin e të njëjtave simptoma patologjike që e rrënuan Shqipërinë ekonomikisht për 45 vite me radhë. Sërish Edi Rama krijon pabesueshmëri dhe horizonti i humbjes elektorale për të duket gjithnjë e më i afërt. Një platformë diletanteske e ushqyer dhunshëm me kërcënime kundër investimeve të huaja, rritjes ekonomike, punësimit dhe nxitjes së mirëqenies së shqiptarëve, sigurisht që do refuzohet dhe njëherazi do shënojë kapitullimin e “ekzistencës politike” të lidershipit socialist.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›