E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mosmarrëveshje midis Gruevskit e Ahmetit për rezultatet e katërvjeçarit të qeverisë

Shkup, 2 shtator - Kryeministri Nikola Gruevski dhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim (BDI) mësohet të jenë përplasur për publikimin e rezultateve të 4-vjetorit të qeverisjes së VMRO-DPMNE-së. Burime partiake kanë thënë se reagimi i Ahmetit ka detyruar kryeministrin të shtyjë konferencën për gazetarë, që ishte paraparë të mbahet të enjten, me qëllim që të harmonizohet raporti që do të paraqitet para medieve.
“Përpos anulimit, materiali që duhej të prezantohet nga vetë kryeministri Gruevski do të pësojë edhe ndryshime në përmbajtje”, theksojnë burimet.
Në njoftimin e Qeverisë për shtyrjen për një ditë të konferencës për media nuk përmendet ndonjë arsye e fuqishme protokollare e Gruevsit, por vetëm një informatë e shkurtë se press-konferenca anulohet për të premten në ora 14, në hapësirat e godinës qeveritare. Zëdhënësi qeveritar, Muamet Hoxha, thotë se konferenca është anuluar për arsye teknike.  
Gruevski, ndërkaq, ishte paraparë që në konferencën e së enjtes të shpalosë të arriturat e qeverisë për mandatin katërvjeçar, prej kur VMRO-DPMNE-ja drejton qeverinë. Merret vesh se edhe kjo ka qenë një ndër arsyet që ka detyruar BDI-në të intervenojë dhe të shtyhet konferenca për të premten dhe të pësojë ndryshime.
“Nuk mund të ketë press-konferencë për katër vjet pasi që qeveria është ndryshuar para dy viteve”, thonë burime nga BDI-ja.
Ato thonë se do ta shqyrtojnë mundësinë që të njëjtën dite edhe BDI-ja të organizojë press-konferencë për të sqaruar arsyet e anulimit të press-it të kryeministrit Gruevski.  Në materialet propaganduese që shpërndau qeveria kohë më parë të arriturat e qeverisë i prezantonte vetëm si të arritura të VMRO-DPMNE-së, me ç’rast anashkaloi partnerin shqiptar të koalicionit.
Anashkalime të kësaj natyre janë paraqitur edhe në fjalimet e fundvitit që i organizojnë bartësit e institucioneve më të rëndësishme shtetërore, si presidenti dhe kryeparlamentari, gjë që thuhet të ketë mbushur kupën në BDI.

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›