Missfelder-Meta: Gjermania mbështet integrimin europian të Shqipërisë

Kreu i LSI, Ilir Meta
Kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, u takua gjatë një vizite pune në Gjermani me përfaqësues të maxhorancës dhe opozitës në Bundestag. Meta zhvilloi bisedime me Philip Missfelder, deputet dhe zëdhënës i CDU-së për Politikën e Jashtme në Bundestag. Gjatë takimit, Missfelder theksoi se Gjermania e mbështet integrimin europian të Shqipërisë si dhe ecurinë e përmbushjes së prioriteteve të BE brenda vendit. Deputeti i CDU-së vuri në dukje se integrimi më i mirë do të ishte fuqizimi i mëtejshëm ekonomik i Shqipërisë dhe rritja e mirëqenies, ndërkohë që Gjermania do vazhdojë ti kushtojë vëmendje Shqipërisë në këtë aspekt. Meta, pasi bëri një përmbledhje të zhvillimeve të fundit në Shqipëri, theksoi se prioriteti ynë kryesor mbetet integrimi europian, pavarësisht sfidave që vendet e BE-se po kalojnë aktualisht, duke shtuar se integrimi për Shqiptarët është më i rëndësishëm se çdo popull tjetër në rajon, për shkak të izolimit të madh historik që vendi ka përjetuar në të kaluarën. Kreu i LSI-së, u shpreh se bashkëpunimi me Gjermaninë është kyç në këtë aspekt dhe investimet gjermane janë shumë të mirëpritura në Shqipëri, e cila ofron një klimë miqësore ndaj biznesit të huaj. Meta dhe Missfelder gjithashtu vunë në dukje se Shqipëria vlerësohet për rolin e saj konstruktiv në rajon. Në kuadër të vizitës së tij në Gjermani, Meta u takua me Dietmar Nietan, deputet i majtë, anëtar i Komisionit të Jashtëm në Bundestag dhe zëdhënës për Europën Juglindore i partisë opozitare SPD. Nietan, pasi u interesua për zhvillimet politike në Shqipëri, vuri në dukje së bashkëpunimi më i afërt i BE me vendet e Ballkanit Perëndimor është në interes të vetë vendeve anëtare të BE-së. Nietan shprehu gjithashtu vlerësimin e tij për politikën e jashtme të Shqipërisë, dhe veçanërisht rolin e saj konstruktiv dhe stabilizues në rajon. Në këtë kontekst, ai nënvizoi rëndësinë që edhe politika e brendshme të jetë po aq konstruktive.
Luan Rama
Sekretari i Përgjithshëm i LSI-së, Luan Rama, u bëri thirrje forcave politike të bashkëpunojnë në përmbushjen e reformave. Nuk mundet që lidershipi të veprojë në dëm të interesave të masës së partisë vetëm e vetëm sepse një pjesë e lidershipit, për arsyet e tyre personale, nuk e gjejnë veten të lidhur me interesat e socialistëve shqiptarë dhe me interesat e gjithë shoqërisë shqiptare, u shpreh Rama.