Nano President? Bello: PD-PS ta votojnë

Deputeti Marko Bello
Deputeti socialist, Marko Bello, e cilësoi ish-kreun socialist, Fatos Nano, si një figurë që duhet të bashkojë PD-në e PS-në, për ti dhënë vendit një President konsensual. Në një intervistë për Ora News, deputeti socialist, Bello, thotë se Nano është një figurë me vlera për politikën shqiptare. Z. Nano është një figurë me staturë të spikatur politike, një politikan karriere, një lider historik i së majtës, i cili kohët e fundit është përpjekur të mbajë një ekuidistancë ndaj politikës, do të thosha, për të arritur një konsensus. Nëse z. Nano do të arrijë të bindë të gjitha palët, do të ishte shumë pozitive. Pa diskutim që PD e PS, duke mbështetur Nanon, do ti jepnin vendit një President të suksesshëm, tha ai. Por, në rast se PS-ja nuk e mbështet kandidaturën e Nanos, vota e tij do të jetë e njëjtë me atë të Grupit. Jam hapur në mbështetje të një procesi gjithëpërfshirës dhe do tu bindem, pa diskutim, vendimeve të partisë sime, por do të përpiqem që PS të ketë një qasje më dashamirëse ndaj Nano. Por, do të respektoj vendimet e partisë, thekson ai. Pas hedhjes së emrit të tij në listën e kandidatëve, Fatos Nano është rikthyer në pole position për karrigen e kreut të shtetit, madje duke arritur të hapë deri diku edhe dyert e Partisë Socialiste.