Moti, e diela pritet të sjellë reshje në veri të Shqipërisë

Pas reshjeve të vrullshme të së premtes dhe pjesërisht të shtunës, dita e diel pritet të jetë një tjetër ditë e vështirë në Shqipëri.
IGJEUM në buletinin e tij parashikon reshje me intensitet të lartë në veri të vendit.
Sipas tij në qarqet Shkodër, Kukës dhe Lezhë, mund të ketë vërshime të shpejta të lumenjve të vegjël malorë dhe rrëshqitje të dherave.
Në zonat urbane, në këto qarqe mund të shfaqen probleme me përmbytje të lokalizuara, në varësi të gjëndjes së kanalizimeve.
Ndërkohë meteorologët kujtojnë se vendi është futur në stinën e dimrit. Muaji nëntor ka qenë muaji që regjistron pjesën më të madhe të reshjeve. Ky muaj pritet që të jetë i shoqëruar me reshje, por edhe ulje të temperaturave që tashmë kanë filluar.
Por pavarësisht nga situata e krijuar nuk pritet që të ketë “thyerje rekordesh”. Nëse të premten Tirana regjistroi 90 mm, shi, ky është shumë larg rekordit të regjistrar më 18 nëntor 1962 dhe ka qenë 153.5 mm shi në 24 orë.
/ rtsh.al /