E Diel, 1 Nëntor 2026

Moti i keq, Durrësi dhe Bari pezullojnë lundrimin e trageteve

Tragetet që duhet të niseshin sot në drejtim të Barit janë ankoruar në kalatat e Portit dhe nuk do të dalin në det deri në një urdhër të dytë. Por, edhe përtej detit situata nuk paraqitet më e mirë. Tragetet "Aurelia" “Ionis” dhe “Riviera” që duhet të kishin mbërritur rreth orës 08:00 të mëngjesit të ditës së sotme në portin e Durrësit nuk janë nisur aspak nga Bari 

DURRES-Lundrimet e trageteve për Durrës-Bari e anasjelltas jane pezulluar si pasojë e motit të keq. Burime nga Porti i Durrësit bënë të ditur se janë pezulluar lundrimet e të gjitha mjeteve lundruese. Tragetet që duhet të niseshin sot në drejtim të Barit janë ankoruar në kalatat e Portit dhe nuk do të dalin në det deri në një urdhër të dytë. Por, edhe përtej detit situata nuk paraqitet më e mirë. Tragetet "Aurelia" “Ionis” dhe “Riviera” që duhet të kishin mbërritur rreth orës 08:00 të mëngjesit të ditës së sotme në portin e Durrësit nuk janë nisur aspak nga Bari. Shkak ka qene era e fortë me drejtim nga veriu dhe deti i trazuar deri në 9 ballë. Për të evituar cdo lloj rreziku, autoritetet portuale të të dyja qyteteve kanë vendosur pezullimin e lundrimeve deri në përmirësimin e motit.
Nga komunikimet mes dy kapitenerive përkatëse është mësuar se rreth 300 udhëtarë shqiptarë dhe të huaj kanë kaluar natën në portin e Barit, ndërsa nuk dihet nëse tragetet janë nisur sot paradite drejt Durrësit.
Burimet shtuan se era e fortë nga veriu përgjithësisht vështirëson lundrimin e trageteve dhe anijeve nga Italia drejt vendit tonë, ndërsa porti i Durrësit është më i ekspozuar nga erërat e jugut, që kanë penguar disa herë lëvizjen e trageteve drejt Italisë.
Në portin e Durrësit vazhdon normalisht përpunimi i anijeve tregtare, ndërsa është bllokuar lëvizja e anijeve të tonazhit të vogël dhe e motopeshkatoreve nga Durrësi.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›