E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti i keq gjunjëzon Madeiran 40 të vdekur e qindra të plagosur

Portugali

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe 120 të tjerë janë plagosur për shkak të shirave të rrëmbyeshëm dhe të dendur që kanë gjunjëzuar ishullin portugez të Madeiras për shkak të përmbytjeve. Ekipet e ndihmës së shpejtë po punojnë për të kërkuar trupa të tjerë të mbuluar nga balta e madhe, si pasojë e shkarjes së dheut. Franscisco Ramos, sekretari i çështjeve Sociale Rajonale, tha për mediat se bilanci i viktimave mund të shtohet akoma më shumë. “Do të vazhdojmë të kërkojmë të tjerë trupa, por presim skuadra të tjera shpëtimi të na vijnë në ndihmë”. Në ishullin turistik, rreth 1 mijë kilometra larg Lisbonës, rrugët janë bllokuar nga mbeturinat dhe balta, ndërsa shumë ura janë shkatërruar, duke e bërë të pamundur lëvizjen. Më shumë se 200 njerëz kanë humbur shtëpitë dhe janë transferuar në strehime të përkohshme.

Kryeministri portugez, José Socrates, që ka vizituar vendin, ka premtuar se do të ofrohet gjithë ndihma e nevojshme. Autoritetet i kanë urdhëruar qytetarët të mos dalin nga shtëpitë. Aeroporti ndërkombëtar është mbyllur, madje edhe lidhjet detare janë ndërprerë, duke e izoluar tërësisht ishullin. Në ekipet e ndihmës është përfshirë edhe ushtria. Edhe Bashkimi Europian është treguar i gatshëm për t’i ndihmuar autoritetet portugeze të përballojnë katastrofën e tmerrshme që ka goditur Madeirën. Kështu u shpreh presidenti portugez i Komisionit Europian, José Manuel Barroso. Përveçse u shprehu autoriteteve ngushëllimet për viktimat dhe solidaritet me personat e prekur, Barroso premtoi se do e ndiqte nga afër situatën.

#

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›