Moti i keq në Sarandë, pezullohen lundrimet në det
>Moti i keq me reshje, erë të fortë dhe valëzim në det mbi normalen ka detyruar kapiteneritë e porteve të Sarandës dhe të Korfuzit të lëshojnë sinjalin SOSe të ndalojnë lëvizjen e mjeteve lundruese në det të hapur, qoftë për lëvizjen e udhëtarëve, anijet e peshkimit apo të transportit të mallrave. Sipas sinoptikanëve të shtetit fqinj, nga ishulli i Korfuzit, kanë paralajmëruar se deri ditën e sotme koha do jetë e keqe dhe do të vazhdojnë reshjet e shiut, moti do të jetë i ftohtë me erëra të forta e për rrjedhim valëzimi do të arrijë në 7-8 ballë.
Gjendja e rënduar ka bërë të pengohet lundrimi në detin e trazuar, por sipas burimeve portuale janë parandaluar risqet e rrezikut të përplasjeve në bankinat e ankorimit të anijeve të tonazheve të ndryshme, peshkarexhave dhe ato të udhëtarëve, pasi janë lajmëruar në kohë nga kapiteneritë për stuhinë që po afronte. Anijet e tonazhit të rëndë janë ankoruar me spirancë në det të hapur në gji, ndërsa më të voglat janë akustuar në bankinë të lidhura fortë e të siguruara që të mos krijojnë përplasje me njëra- tjetrën. Për arsye të motit të keq, tragetet e linjës kanë anuluar lundrimet, duke qëndruar në portin e Korfuzit dhe pjesa tjetër në portin e Sarandës, janë në pritje të përmirësimit të motit, që të nisin menjëherë lundrimin, pas stuhisë. Kjo është hera e dytë që brenda 5 ditëve bllokohen linjat e transportit detar në Gjirin e Sarandës.