E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkarkohet Sefgjini, i dyshimtë motivacioni

>Berisha lëshon besnikun e tij, dëshmia e Anibal Bashës një nga shkaqet e shkarkimit të drejtorit të Tatimeve
Ditën e djeshme është shkarkuar nga detyra si Drejtor i Përgjithshëm i Tatimeve Arben Sefgjini. Sipas burimeve brenda ministrisë së Financave ky shkarkim ka ardhur pas analizës vjetore të kësaj drejtorie.  Duket se rezultatet e dobëta në realizimin e të ardhurave dhe kritikat e fundit të zëvendësministrit të Financave Florian Mima, për punën e dobët të këtij institucioni, kanë qenë një nga pretekstet e shkarkimit të Drejtorit të Përgjithshëm të Tatimeve Sefgjini.
Ndërkohë bëhet i ditur edhe emri i cili do të zëvendësoje Sefgjinin në këtë detyrë, ai është Artur Papajani. Sefgjini është gjithashtu nën akuzë për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha.  Sipas  Ministrisë së  Financave, e cila sqaron  motivin e shkarkimit sipas të cilit,  ky vendim ka ardhur menjëherë pas përfundimit të analizës vjetore, në bazë të së cilës ka rezultuar se Sefgjini nuk ka kryer si duhet detyrën e tij si drejtor i përgjithshëm i Tatimeve.
Ndërkohë që sipas burimeve brenda kryeministrisë bëhet e ditur se një nga shkaqet kryesore të shkarkimit të Sefgjinit është implikimi i tij në çështjen Hoxha. Duke qenë se Berisha është akuzuar nga mediat si një qeveri që punon me njerëz të inkriminuar dhe të penalizuar, ku përveç Bashës, Tomës, Mediut dhe shumë të tjerëve, Sefgjini hyn në listën e personave që implikonin qeverinë Berisha si qeverisje  e njerëzve në ndjekje penale dhe me probleme me drejtësinë shqiptare. Ndërkohë që sipas burimeve brenda qeverisë mendohet se një nga arsyet që Sefgjini ka marrë goditjen finale nga kryeministri Berisha është edhe dëshmia e Anibal Bashës, dëshmitari kyç i çështjes Hoxha, dëshmi që e ka fundosur përfundimisht drejtorin e Tatimeve Arben Sefgjini. Dëshmia e Bashës mendohet të jetë një nga arsyet që ka detyruar kryeministrin Berisha të kalojë në masë ekstreme kundër njeriut të tij më besnik për të cilin mbajti në kurriz kosto politike për rreth dy vjet.  
Gjithashtu ditën e djeshme është bërë i ditur edhe emri i ri që do të vijë në krye të drejtorisë së Përgjithshme të tatimeve, i cili do të jetë  Artur Papajanin. Papajani  më përpara ka mbajtur postin e drejtorit të Tatimit mbi Vlerën e Shtuar.
Akuzat ndaj Sefgjinit
Arben Sefgjini është gjithashtu nën akuzë për zhdukjen e biznesmenit Remzi Hoxha. Sefgjini ka mbajtur postin e drejtorit të SHIK-ut të Tiranës në vitin 1995, kur u zhduk shqiptaro-maqedonasi Hoxha. Për këtë cështje, ai është arrestuar dhe liruar më pas për shkak të mungesës së provave dhe fakteve. Në vitin 2006, prokuroria e përgjithshme, rihapi dosjen Hoxha dhe një vit më vonë dërgoi për gjykim Arben Sefgjinin. Ai akuzohet edhe për rrëmbimin dhe torturimin e dy shtetasve të tjerë, Ziso Kristopulli dhe Avdyl Loshaj. Në periudhën 2006-2007. Sefgjini ka mbajtur detyrën e drejtorit të përgjithshëm të përmbarimit dhe më pas ai kaloi në postin e drejtorit të përgjithshëm të tatimeve, detyrë që e ka mbajtur edhe gjatë zhvillimit të procesit gjyqësor.

***************************
Dëshmia e Anibal Bashës

Prokurori: Na thoni dëshmitar, nëse keni punuar ose jo në Shërbimin Informativ Kombëtar. Në rast se po, në çfarë periudhe dhe çfarë detyre keni kryer?
Kam punuar në SHIK nga nëntori i 1992 deri në janar 1999, në detyrën e inspektorit.
Në detyrën që kryeje, nga kush keni pasur varësi direkte?
Nga 94 deri në 96-ën kam qenë në degën e parë në varësi të Ilir Kumbaros. Pastaj janë ndërruar dy-tre.
Gjatë kohës që keni qenë në krye të kësaj detyre, keni dijeni për marrjen në pyetje të shtetasve Ziso Kristopulli, Remzi Hoxha, Abdyl Loshaj? Në rast se po, në çrrethana?
Kam dijeni vetëm për Armando Loshajn.
Në çrrethana dhe çfarë dini rreth këtij personi?
Kam shumë pak dijeni. Kam qenë duke dalë nga zyra me kolegun tim Skënder Shehu. Kemi qenë duke zbritur si zakonisht për të shkuar për të marrë detyrën.
Gjyqtari: Me kë ishit?
Isha së bashku me Skënder Shehun, inspektorin e zyrës. Jemi shkëmbyer te shkallet me Ilirin. Na ka kthyer nga shkallët. Na ka thënë që sot nuk do të dilni në zonë, do të ngarkoheni me një detyrë tjetër. Është ndaluar një person dhe do të merret në pyetje. Por duke qenë se skam inspektorë të tjerë se i kam shpërndarë në punë, do jeni të pranishëm. Pyetjet ia kam bërë unë, tha ai. Ju vetëm do të asistoni. Kur të mbarojë punë, do më njoftoni. Kemi qëndruar me personin, që ishte djalë i ri. Pasi kemi mbaruar punë, ia kemi dorëzuar kryetarit të Degës. Më nuk jam marrë me të.
Personi që e merrnit në pyetje, kush ishte?
Një djalë i ri, Loshaj.
Si e kishte emrin?
Loshaj, Armando. I dorëzuam shënimet kryetarit të Degës. Më mbrapa nuk jam marrë më me të.
A keni dijeni se çfarë u bë më tej me këtë person?
Nuk e di se çka bërë, se vetëm atë gjysmë dite e kam parë.
Shënimet e tij më pas ia kaluam kryetarit të Degës dhe ikëm në punën tonë.
Keni dijeni për hedhjen e këtij personi nga ambientet e kësaj drejtorie?
Besoj se kjo është, tentativa për të ikur.
A e ka realizuar apo jo?
Nuk e di.
Nëse keni apo jo dijeni, çfarë është bërë me të, me Loshajn?
Jo. Nuk kam.
Nuk jeni marrë më me të?
Jo. Vetëm atë gjysme dite.
Po në lidhje me këta dy personat e tjerë, Remzi Hoxha dhe Ziso Kristopulli, keni ose jo dijeni?
Jo jo, vetëm kur i dorëzuam ato shënimet Ilirit, më është dhënë mundësia që ti lexoj fletët e shënimeve. Dhe përmendej, është përmendur emri i Remzi Hoxhës, për lidhje me aktivitetin.
Për çfarë aktiviteti bëhej fjalë?
Po nuk i vura shumë rëndësi, por për Loshajn, për aktivitet zbulues për llogari të shërbimeve serbe dhe në këtë kuadër jepte shpjegime.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›