E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përmbytjet në Durrës, rrëshqitja e dheut rrezikon disa shtëpi

>Reshjet e dendura të ditëve të fundit kanë përmbytur shumë rrugë në qytetin e Durrësit. Reshjet e dendura kanë krijuar një situatë të rënduar edhe për qarkullimin normal të kalimtarëve dhe mjeteve. Situata e krijuar ka ardhur si rezultat i bllokimit të kolektorit kryesor të ujerave të zeza. Zonat me problematike kanë qenë Shkozeti, Ish Këneta, Plazhi,  lagjja 17 dhe 18. Uji ka arritur në nivele të konsiderueshme në rrugë, duke depërtuar deri në trotuare. Por më problematike ka qenë situata në rrugën drejt Currilave, ku si pasojë e reshjeve të dendura të shiut një pjesë e argjilës së faqes së Kodër Vilës ka rrëshqitur. Situata është paraqitur mjaft shqetësuese, pasi rrëshqitja e dheut jo vetëm ka bllokuar rrugën kryesore që të çon në Currila, por edhe ka rrezikuar seriozisht tre banesa, duke vënë në rrezik jetën e banorëve. Për shkak të rrëshqitjes së tokës në këtë kodër, policia ka bllokuar aksin Vollga-Currila për evitimin e ndonjë aksidenti të mundur si dhe ka evakuuar banorët e dy shtëpive përkohësisht. Grupi i ngritur nga shtabi i emergjencës në bashkëpunim me bashkinë ka punuar për hapjen e kanaleve si dhe vendosjen e mureve të përkohshme për të penguar rrëshqitjen e dheut. Ndërsa pjesa tjetër ishte e angazhuar në zhbllokimin e rrugës nga dherat. Sasia e dherave që ka rënë nga një lartësi e konsiderueshme, ka kaluar në mes të dy shtëpive të banimit, ndërkohë që niveli i baltës ka shkuar deri në tarracën e restorantit që gjendet në këtë vend. Situata është normalizuar vetëm pas tre orësh përpjekjesh. Shkak për rrëshqitjen e dherave sipas shtabit të emergjencës janë bërë reshjet e shiut si dhe kodra e zhveshur nga pemët. Megjithatë, nëse reshjet e dendura të shiut vazhdojnë, situata paraqitet mjaft serioze dhe mund të arrihet deri në evakuimin e familjeve në shtëpitë e rrezikuara nga rrëshqitja e dheut. Po kështu si pasojë e kohës së keqe është ndërprerë puna edhe në portin në portin më të madh të vendit atë të Durrësit. Në fillim puna është ndërprerë në sektorin e ngarkim-shkarkimit si dhe  në atë të përpunim it të mallrave. Po kështu nga ana e kapitenerisë është urdhëruar ndalimi i lundrimit të mjeteve me tonazh të ulët dhe të mesëm, duke qëndruar në radë deri në përmirësimin e kushteve atmosferike. Ndërkohë që koha e keqe që ka përfshirë gjirin e Durrësit ka vënë në rrezik flotën e peshkimit. Në vendin ku duhet të ankoroheshin vetëm 40 anije, qëndrojnë mbi 90 të tilla, duke krijuar rrëmujë dhe rrezik incidentesh. Më parë anijet e flotës së peshkimit u rrezikuan nga përplasja me tragetin e linjës Bari Durrës, ku u mbyten tre anije dhe u dëmtuan katër të tjera.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›