E Enjte, 5 Nëntor 2026

Moti i keq në Shkodër, prefektja Angoni për ATSH-në: Mungesë energjie në disa zona, probleme qarkullimi në akse rurale

TIRANË, 22 nëntor/ATSH/ Për shkak të motit të keq me erë të fortë dhe reshje shiu në qarkun e Shkodrës disa akse rurale janë të bllokuara nga prezenca e ujit dhe gurëve, ndërsa në disa zona mungon energjia elektrike.

Prefektja e qarkut të Shkodrës, Majlinda Angoni tha për ATSH-në se “në bashkinë Shkodër, aksi rrugor në territorin që mbulon Drejtoria Rajonale e Rrugëve është i kalueshëm. Për arsye sigurie në aksin Prekal-Kir është e pamundur të ndërhyhet, ndërkohë që në segmentin Breg Lumi – Theth po punohet intensivisht për hapjen e rrugës, me ndihmën e banorëve të zonës”.

“Në bashkinë Malësi e Madhe vijojnë me intensitet të lartë dhe erë me shpejtësi të lartë. Mungon energjia elektrike në të gjithë njësitë administrative Gruemirë, Shkrel dhe Kelmend. Nuk raportohen rrugë të bllokuara”, tha Angoni.

Sipas saj, në bashkinë Vau Dejës vijojnë reshjet e shiut me intensitet mesatar dhe erë me shpejtësi të lartë.

“Në bashkinë Vau i Dejës mungon energjia elektrike në të gjithë njësinë administrative. Në bashkinë Fushë Arrëz vijojnë reshjet e shiut dhe erë me intensitet të lartë. Ka ndërprerje të energjisë elektrike në njësitë administrative Iballë, Fierzë dhe Blerim. Qarkullimi në rrugët kryesore vijon, por ka prezencë uji dhe gurësh”, tha Angoni.

Ndërsa aksi rrugor Gjegjan – Shpal në rreth 40 % është i bllokuar.

Prefektja Angoni informoi se “në bashkinë Pukë vijon të ketë reshje intensive të shiut. Raportohen bllokime të rrugëve rurale në njësitë administrative. Në Qerret raportohet dëmtimi i çatisë së një banese, energjia elektrike është ndërprerë që në orën 13.00”.

“Nga OSHEE Shkodër informohemi se aktualisht po punohet në nënstacionin e Çasit për të vënë në gjendje pune hidrovorin, si dhe po punohet me grupe në terren për rikthimin e energjisë elektrike”, tha Angoni.

1 nga 2

/k.s/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›