E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moti, "plakat" sjellin të ftohtin në pranverë

Ashtu siç thotë edhe gojëdhëna, plakat e prillit do të na kujtonin stinën e dimrit, të cilën e lamë pas. Deri në mesin e kësaj jave, do të kemi temperatura të ulëta, mot të vranët, të paqëndrueshëm të shoqëruar me reshje shiu lokale. Duke nisur nga fillimi i kësaj jave, edhe për dy ditë të tjera, sinoptikanët kanë parashikuar një mot me vranësira dhe shi. Edhe sot do të na shoqërojë mot i vranët dhe me reshje shiu. Vendi ynë po ndikohet nga periferia e presionit atmosferik të ulët, me qendër në Detin Mesdhe dhe nga masa ajrore të paqëndrueshme në lartësi. Në këto kushte, moti parashikohet të jetë me vranësira të ndërrueshme dhe me reshje shiu. Era do të fryjë në drejtim të juglindjes me shpejtësi 8 m/sek. Ndërsa valëzimi në bregdet parashikohet të arrijë deri në 4 ballë. Temperaturat më të ulëta do të regjistrohen në zonat malore. Edhe në zonat bregdetare ato do të luhaten nga 5 në 12 gradë, ndërsa temperaturat më të larta pritet të arrijnë deri në 23 gradë Celsius. Ndërrimi i motit nga kohë e bukur dhe e ngrohtë, në rrebesh shiu dhe temperatura të ulëta, sipas popullit vjen si pasojë e plakave. Ashtu siç rrëfen përralla shqiptare në këtë kohë, të paktën deri më datën 14-15 prill janë ditët e fundit të dimrit. Pas mesit të muajit prill vjen në mënyrë të hareshme moti i ngrohtë dhe temperaturat e larta të pranverës. Sipas sinoptikanëve, dita e enjte do të shënojë një ndryshim të motit. Në fillim të fundjavës do të kemi përmirësime të ndjeshme dhe temperaturat do të rriten nga 2-3 gradë Celsius. Muaji mars ka shënuar nivelin më të madh të reshjeve. Shumica e ditëve kanë qenë me mot të butë dhe të lagësht.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›