E Shtunë, 31 Tetor 2026

Adela u tregon banorëve: Tek "E Diell", si në ëndërr

Mes emocionesh Adela u ka treguar banorëve të shtëpisë së "Big Brother" eksperiencën e saj në "E Diell". "M‘u duk si një ëndërr", ka komentuar ajo ndërsa ka thënë se i ka bërë përshtypje shprehja e Adi Krastës: "Kur të dalësh, nëse familja jote nuk do të të presë, do të vij unë e do të bëhem familja jote".

Kthimi i Adelës

Adela kthehet në shtëpinë e "Big Brother". Ajo pyet banorët nëse e kanë parë apo jo dhe ata i përgjigjen se jo. Ajo u tregon se shkoi me makinë deri në një vend, por që ajo nuk mund të shihte asgjë dhe nuk mund t‘i fliste askush. Adela tregon se ai vendi ishte spektakli "E Diell" dhe Adi Krasta e kishte pritur. Me emocione thotë se fillimisht nuk kishte parë asgjë se dritat ishin të fikura, por më pas u ndezën dhe pa një publik që u ngrit në këmbë për të dhe e përshëndetën. Adela tregon se atje i kishin dhënë një këngë për të kënduar. "M‘u duk vetja si në ëndërr dhe mendova më pas që vetëm të bëja qejf", thotë Adela. Më pas ajo kishte bërë një prezantim dhe në fund ishte përshëndetur me të gjithë. Adela thotë vazhdimisht se i dukej vetja si në ëndërr dhe se një surprizë të tillë nuk do ta kishte menduar kurrë. Ajo tregon se Adi Krasta e kishte pyetur se çfarë do t‘u thoshte atyre personave që atë nuk e kishin qejf dhe Adela i ishte përgjigjur se fakti që ata e llogarisin, do të thotë shumë për të. Ajo tregon se Adi i kishte thënë një shprehje shumë domethënëse: "Kur të dalësh, nëse familja jote nuk do të të presë, do të vij unë e do të bëhem familja jote".

Komente për shprehjen e Krastës

Banorët fillojnë të diskutojnë për shprehjen që Adi Krasta i kishte thënë Adelës. Sori thotë se nëse ai do t‘ia kishte thënë atij, ai do t‘i ishte kundërpërgjigjur se familja e pret, çfarëdo që të ketë bërë. Arjoni mendon se kjo shprehje të lë të kuptosh se Adela ka bërë diçka të gabuar dhe se familja e saj mund ta ketë gjykuar për këtë. Edhe Adi e mendon afërsisht kështu. Ai shprehet se çfarëdo që të përmbante ai mesazh, tek Adela tani do të lërë shumë mbresa dhe ajo mund të ndryshojë sjelljen. Juna mendon se ato fjalë ishin thjesht për t‘i dhënë asaj zemër për të ecur përpara duke mos pasur asnjë qëllim tjetër. Adi thotë se jashtë ka dy vlerësime: i pari i shoqërisë civile të emancipuar që përfaqësohet nga Adi Krasta dhe i dyti mentaliteti i vjetër që përfaqësohet nga familja e Adelës. Adi mendon se shoqëria civile e ka pranuar Adelën. Arjoni këmbëngul se me tipin që ka Adela, ajo do të marrë në konsideratë vetëm anën e familjes.

"Akoma më duket si ëndërr!"

Adelajda i ka thënë Bjordit se ende nuk i besohej që kishte qenë tek "E diell". "Akoma më duket si ëndërr!"- ka thënë ajo. Adela ka shtuar se ishte dukur vetja si "katundare e shëmtuar": fustani nuk i pëlqente, flokët nuk i kishte mirë, tualeti i ishte prishur nga maska dhe për më tepër, ajo ndodhej në televizion, në mes të një spektakli, duke u dridhur nga emocionet e pa e pasur fare idenë se çfarë po ndodhte. "Dhe prapë nuk e dhashë veten!" - ka thënë ajo. "Mora mikrofonin, prezantova, këndova, u përgjigja, qeshja...! Të gjithë që më shihnin, që më buzëqeshnin dhe që u ngritën në këmbë duke më duartrokitur! Çfarë emocioni!" - ka përfunduar ajo.

E shqetësuar për prindërit

Adela duket e menduar për prindërit dhe se si perceptohet sjellja e saj tek ata dhe të afërmit e saj. Adi mundohet t‘i japë zemër dhe i thotë se kavajasit nuk janë njerëz që nuk e kuptojnë atë dhe se kurrë nuk do mendojnë keq për të. Adela i thotë se ka frikë për një pjesë që mund ta gjykojë dhe se nga kjo, prindërit e saj mund të shqetësohen. "Dua vetëm që ata të jenë mirë!" Ajo thotë se për ta mund të jetë pak e vështirë që ajo ndodhet në "Big Brother", sepse nuk janë mësuar me të tilla gjëra. Adela shprehet se nuk dëshiron t‘i zhgënjejë ata, sepse i kanë dhënë besimin në momentin që ajo u fut në lojë.

"Adela duhet ta pranojë"

Ari shikon Adelën dhe Bjordin që janë duke u puthur në faqe e përqafuar dhe i komenton. Ai shprehet se nuk i duket aspak normale një sjellje e tillë e Adelës kundrejt të tjerëve, sepse ajo rri gjatë gjithë kohës me Bjordin dhe nuk e pranon këtë gjë. Ari mendon se nuk ka asnjë rëndësi nëse e puth apo jo tjetrin në buzë, kur bën të gjitha gjestet e tjera që tregojnë dashurinë. Sipas tij është hipokrizi kjo sjellje. Ari shton se të puthesh nuk është krim dhe ndaj nuk duhet bërë një çështje kaq e madhe. Adi mundohet ta justifikojë sjelljen e Adelës, por në teori është shumë dakord me Arin. Ai thotë se Adela ashtu e sheh të arsyeshme dhe e bën dhe duhet pranuar kjo lloj sjelljeje e saj. Edhe Juna është dakord me Arin. Edhe ajo mendon se Adela po bën thjesht lojë. "Ose e bën, ose nuk e bën, nuk ke pse sillesh ashtu nëse e ke problem", thotë ajo. Adi ia kthen se kjo që pretendon Juna, është gjëja e fundit që Adela mund të bëjë. Ari thotë se pak rëndësi ka se ku e puth tjetrin, në buzë apo afër buzës; njësoj është sepse fundja "dëmin për familjen" e ke bërë. Ai mendon se Adela sillet ashtu sepse nuk e ka të sigurt lidhjen me të, por qëndrimi që mban nuk është i drejtë. Adi përfundon se si ajo, edhe Bjordi e dinë shumë mirë se çfarë po bëjnë.

"Çfarë i pëlqen publiku Sorit?!"

"Çfarë i pëlqen publiku Sorit, që nuk e nxjerr asnjëherë?!"- ka pyetur Adelajda Bjordin. "Flet shumë!"- i ka thënë ai. Sipas Adelajdes, Qetsori nuk ka asgjë të veçantë dhe është e habitshme që ai pëlqehet aq shumë. "Çfarë spektakli bën ai njëherë?!"- është shprehur ajo. Ajo ka shtuar se po të ishte publik, nuk do ta kishte pëlqyer Qetsorin. Ajo do të pëlqente Adin, Bjordin dhe ndoshta Arin.

Bjordi vesh rrobëdishanin e Mimozës

Bjordi ka veshur rrobëdishanin e Mimozës dhe ka dalë jashtë te banorët e tjerë që po bisedonin. Sa e kanë parë ata kanë shpërthyer në të qeshura, por më pas, këtë veprim të tijin e kanë komentuar në mënyra të ndryshme. Sipas Anjezës, Bjordi s‘bëri asgjë të keqe, përveçse një shaka, ai ishte njeri pa komplekse. Por për Arjonin nuk ishte kështu. Ai nuk e mirëpriti aspak veprimin e Bjordit, por siç tha jo për të keqen e tij, por të Bjordit. Sipas tij, nuk ishte normale të dilje ashtu para 2 milionë teleshikuesve, ky mund të ishte një veprim që ti e bëje për të qeshur, me të dashurën tënde, por jo në televizion. Edhe Ari ka thënë se mendonte të njëjtën gjë. Aida ka thënë se nuk do të kishte ndonjë gjë të keqe, ishte thjesht një shaka dhe ajo do të qeshte po njësoj, si me Bjordin, si me ata. "Mirë ne që e njohim që është çun për së mbari dhe e dimë që nuk ka ndonjë devijim shijesh, por të tjerët mund ta paragjykojnë!", ka thënë Ari. "Të them të drejtën, unë në fillim e kam menduar!" - ka thënë Arjoni. "Edhe unë e kam menduar, - ka thënë Qetsori duke qeshur, -tani, vetëm në të rrallë nuk e mendoj më!". Megjithatë të gjithë kanë rënë dakord se ky veprim ishte rezultat i mungesës së komplekseve të Bjordit dhe i jetës e vendit ku ai kishte jetuar.

Qetsori: "Rrezikojmë unë dhe Arjoni!"

Sipas Qetsorit, banorët që rrezikojnë këtë javë për të dalë nga shtëpia, ishin ai dhe Arjoni. Aida e ka kundërshtuar duke i thënë se as "zysha", as Arjoni, nuk rrezikonin. Njëri nga të dy, mes saj dhe Qetsorit, do të ishte ai që do të dilte. Ndërsa Arjoni ka thënë se ishte ai që rrezikonte më shumë dhe ishte ai që do të dilte, megjithatë Aida është shprehur sërish e bindur për daljen e saj.

"Mimoza është si kukull!"

Të ulur jashtë, në oborrin e shtëpisë, Juna dhe Ari kanë diskutuar për një pjesë të banorëve dhe përshtypjeve të tyre, lidhur me ta. Për Mimozën, të dy janë shprehur se ishte shumë e mirë. "Mua më pëlqen shumë!" - ka thënë Juna. Ari ka shtuar se Mimozës i pëlqen të jetë në qendër të vëmendjes. Ari e ka përcaktuar Mimozën si një person, me të cilin mund të qetësohet, kur atmosfera përreth është e tensionuar.

Adi dhe Qetsori "ndeshen" në sumo

Adelajda, Mimoza, Adi dhe Qetsori, pasi kishin rënë për të fjetur janë ngritur nga shtrati të mbështjellë me çarçafë dhe kanë shkuar të ngacmojnë Arjonin. Më pas, në korridorin e shtëpisë ata kanë improvizuar një ndeshje sumoje, që është prezantuar nga Adela dhe ku kjo e fundit bënte tifo për Adin, ndërsa Mimoza për Qetsorin. Ndeshja, për çështje shkathtësie, u fitua nga Qetsori.

"Ndoshta Juna të pëlqen"

Adela pyet Adin për raportin që ka krijuar ai me Junën brenda në shtëpi. Ajo shprehet se ka vënë re se ajo është duke ndenjur shumë afër me Adin dhe e këshillon që të mbajë pak distancë me të. Adi ia kthen se ai nuk mund të reagojë keq me të, sepse ajo ka një mënyrë të sjelli ashtu siç i kupton gjërat, ka jetuar në një vend tjetër ku njerëzit sillen ndryshe dhe se fundja edhe ajo nuk po sillet keq me të. Adela i thotë se ajo po sillet kështu vetëm me të, ndërsa me djemtë e tjerë jo. Ajo mendon se ndoshta Junës i pëlqen vërtet Adi.

"Nuk shikoja mundësi këtu"

Anjeza i tregon Arjonit se nuk e kishte menduar kurrë që mund të krijonte një lidhje brenda në shtëpi, me asnjë nga meshkujt. Ajo thotë se i ka parë nga jashtë dhe kishte krijuar disa opinione për ta jo negative, por nuk e mendonte se mund të arrinte të pëlqente ndonjë prej tyre. Sipas saj, duhet shumë kohë që të fillosh të ndjehesh rehat me një person dhe brenda në shtëpi, koha i dukej e pamjaftueshme. Ajo shprehet se për një periudhë të gjatë kohe jashtë, nuk kishte arritur të lidhej, por ja që ndodhi aty ku nuk e priste dhe për më tepër me Arjonin. Ai e pyet se përse kishte pak besim që ai mund të ndiente për të dhe ndoshta mendimet e saj ndikoheshin nga relatat që ai kishte pasur më parë me Zhuljetën dhe Mesidën. Anjeza e pohon këtë gjë, sepse duke parë që ai kishte qëndruar afër me to dhe ndërkohë nuk kishte pasur asnjë marrëdhënie më shumë se miqësia, mendonte se dhe me të do të ndodhte e njëjta gjë.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›