Birësimet, të huajt pa pretendime për të miturit shqiptarë
Nëntë fëmijë janë birësuar gjatë një viti, ndërsa të mitur të tjerë të braktisur apo të mbetur jetimë kanë hyrë në këtë proces në Shtëpinë e Foshnjës në Durrës. Meqë familja e parë nuk ua dha kurrë mundësinë të ishin anëtarë të saj e të rriteshin me dashurinë që meritonin për shkaqe të ndryshme e mbase sepse ajo nuk ekzistonte, fëmijët e braktisur janë në kërkim të një familjeje të re. Dikur një strehë vorfnore, që mundësonte një shtrat dhe ushqim, sot, Shtëpia e Foshnjës në Durrës rezervon komoditet dhe ngrohtësi në ambientet e saj, për të gjithë të miturit, që kalojnë këtu vitet e para të fëmijërisë. Mbi 5 dekada histori dhe qindra e mijëra fëmijë jetimë që kanë kaluar një pjesë të jetës së tyre në këtë shtëpi, ku të tjerë bujtin e trajtohen me kujdes derisa t‘u gjendet familja e re dhe pse jo të kthehen në gjirin e prindërve biologjikë, duke kapërcyer hendeqet e krijuara. Drejtoresha e Shtëpisë së Foshnjës, Heroina Duka, tregon për gazetën se gjatë vitit të kaluar, në shtëpi hynë 13 fëmijë, ndërsa dolën prej saj 9. Pesë prej tyre u birësuan, tre u kthyen në familjen e tyre biologjike, ndërsa një tjetër u mor në kujdestari ligjore nga tezja. Viti ka qenë i mbarë për integrimin e jetimëve. Fatet e fëmijëve, që humbasin plotësisht kontaktet me prindërit biologjikë, janë të përcaktuara. Ata më të shëndetshmit janë të preferuar nga çiftet shqiptare që nuk kanë mundur të sjellin në jetë trashëgimtarët e tyre, ndërsa të tjerët, kryesisht fëmijët romë dhe ata me probleme shëndetësore, por jo vetëm këta, birësohen nga familje të huaja. Gjeografia e familjeve birësuese është e shpërndarë dhe është Shërbimi Social Shtetëror që bën përzgjedhjen dhe vendos kontaktet mes familjeve birësuese dhe institucionit rezidencial të fëmijëve jetimë. Aktualisht, në Durrës, tre fëmijë, dy vajza dhe një djalë, kanë hyrë në procesin e birësimit. Të tre janë foshnje, më pak se një vjeç. Adela e vogël do të birësohet nga një çift shqiptar, kurse Orgesit dhe Elisës do t‘u duhet të shtegtojnë jashtë atdheut për të mbërritur në familjet e tyre të reja. Një tjetër realitet dhe gjuhë do t‘i presë të dy. Një tjetër mentalitet, ndërsa kombësia e tyre do të mbetet shqiptare. Elisa është operuar veç pak kohë pas lindjes, ndërsa Orgesi është fëmijë rom. Ato që duken si handikap për çiftet shqiptare, nuk janë aspak për të huajt, që shohin në aktin e birësimit, jo thjesht mbushje të një boshllëku në familjen e tyre, po një akt thellësisht human që i jep fëmijës jo thjesht strehën, familjen e nevojshme, po dhe mundësinë për të mos u ndjerë i veçuar, për shkak të ngjyrës së lëkurës, etnisë a problemit shëndetësor të trashëguara që nga lindja. Kryesisht, vendet e birësimit janë Franca, Italia, Shtetet e Bashkuara, Suedia e Kanadaja. Fëmija që birësohet e humbet të drejtën e trashëgimisë ligjore të familjes biologjike, duke fituar atë të prindërve birësues. "Në çdo rast, qëllimi kryesor dhe i vetëm i birësimit është interesi i lartë i të miturit, që garanton respektimin e të drejtave themelore. Madje, kur kthehen në familjet biologjike, ne i ndjekim për të parë ecurinë e riintegrimit në to", thotë Duka.
Të gjithë fëmijët asistohen nga punonjëse sociale dhe kujdestare të trajnuara profesionalisht për të vendosur një komunikim sa më efektiv me ta dhe për të ndikuar pozitivisht në rritjen e tyre. Janë 19 fëmijë të vendosur në dy godinat e quajtura shtëpi-familje, secila me kapacitet për dhjetë fëmijë.
Shtëpia e dikurshme e Foshnjës, e njohur ndryshe në Durrës si befotrofi është shpërbërë, duke u shndërruar në një institucion me disa qendra që ofrojnë kushte të mira për vogëlushët dhe një atmosferë të ngrohtë e sa më pranë asaj familjare për ta. Godina e dikurshme është shndërruar në Qendër Sociale të programit për mbështetjen e familjeve në nevojë. Në dy vila dykatëshe të blera dhe të pajisura mirë, njëra në Shkozet dhe tjetra në lagjen 7 të qytetit të Durrësit, fëmijët kanë gjetur shtëpinë-familje, në bazë të një ideje të zbatuar gjerësisht në Perëndim dhe prej disa vitesh edhe në Durrës, falë ndërhyrjes së një fondacioni anglez.
Brenda mureve të dy shtëpive-familje gjallojnë histori të ndryshme. Histori të pamundësisë prindërore për të rritur krijesën e tyre. Braktisje e plotë që në lindje, po dhe dëshirë për të pasur kontakt me fëmijën. Të gjithë janë të vegjël. Nga 0 deri në 6 vjeç. Më të rriturit strehohen në të tjera shtëpi fëmijësh jetimë në vend. Megjithatë ka dhe përjashtime. Është Drita, vajza që ka mbushur 14 vjeç dhe që nuk e ka braktisur shtëpinë e saj në Durrës, ku ka hyrë foshnje dhe tani është në moshën e adoleshencës. Dërgimi në shtëpinë "Zyber Hallulli" në Tiranë mund të jetë traumatik për të, pasi është rritur në kushte të tjera. Kështu e vlerëson punonjësja sociale dhe anëtarë të tjerë të personelit rastin e Dritës. Teksa njihesh me historitë e tyre, drejtoresha dhe stafi të sigurojnë se dhe për fëmijët që nuk birësohen, shtëpitë-familje që janë krijuar do t‘u japin një shans fëmijëve për t‘u shkolluar dhe aftësuar, pasi "birësimi nuk është mundësia e vetme për ta, shteti dhe donatorët kanë ndryshuar strategjinë e trajtimit dhe asistimit të tyre". Një pjesë e fëmijëve frekuentojnë kopshtet dhe shkollat publike më të afërta me shtëpinë, ndërsa më të vegjlit qëndrojnë në asistencën e personelit të shtëpisë.