Peshku dhe qumështi "i rrugës", problem i pazgjidhur
Tregtimi i peshkut dhe i qumështit vazhdon të mbetet problem i pazgjidhshëm në tregun e Fierit. Edhe pse sektori i Veterinarisë në Bashkinë e Fierit ka ndërmarrë aksione të vazhdueshme në lidhje me disiplinimin e tregtimit të mishit apo peshkut, por dhe të prodhimeve të bulmetit, ende ka probleme që ky sektor nuk ka depërtuar. I tillë mbetet tregtimi i peshkut apo ai i qumështit të fshatit apo dhe vezëve. "Në përgjithësi, ne kemi ushtruar aksione dhe deri tani nuk ka asnjë njësi tregtimi që ka paraqitur probleme në lidhje me mishin apo bulmetin që tregton. Të njëjtën gjë mund të themi dhe për të gjitha "fast-foodet" dhe pastiçeritë e qytetit. Megjithatë them se është ende shumë herët për të folur për ndërgjegjësim të tregtarëve, pasi sapo kemi hyrë në stinën e pranverës ku fillojnë problemet edhe në sektorin tonë", ka thënë Luiza Strati, shefe e Zyrës së Veterinarisë në Bashkinë e Fierit. Sipas saj, aktualisht, shitja e peshkut vazhdon të bëhet nëpër makina, por edhe nëpër rrugë. E njëjta gjë ndodh edhe me shitjen e qumështit të fshatarëve dhe vezëve. Këto produkte, që janë të rrezikshme, nëse nuk tregtohen brenda standardeve të duhura janë bërë objekt i kontrolleve. Por asnjëherë ky sektor nuk ka mundur të depërtojë në këtë treg.
"Sa herë që kontrollet ushtrohen në këto pika tregtimi apo rrugë të qytetit këta tregtarë largohen dhe pas disa ditësh i sheh sërish. Ne jemi munduar që të komunikojmë dhe të mirëkuptohemi, por mesa duket, nuk kemi mundur të gjejmë mënyrën e duhur për të parandaluar këtë tregtim", ka thënë Strati, duke lënë të kuptohet se këtë verë, puna kontrolluese dhe goditëse e këtij sektori do të jetë në këtë tregtim.