E Diel, 1 Nëntor 2026

Motivimi i kthimit të ligjit nr. 10019, datë 18.11.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”.

3 dhjetor 2008

Presidenti i Republikës Prof. Dr. Bamir Topi vendosi ta kthejë edhe njëherë për rishqyrtim në Kuvend ligjin nr. 10 019, datë 18.11.2008 “Kodi Zgjedhor i Republikës së Shqipërisë”, i cili ka mbërritur për shpallje në Institucionin e Kryetarit të Shtetit në datën 24.11.2008. Këtë vendim, të cilin Presidenti i Republikës e mbështet në nenin 85, paragrafi 1 i Kushtetutës, ia ka bërë të njohur Kuvendit të Shqipërisë nëpërmjet një letre në të cilën thuhet:

“Reformën zgjedhore, debatet mbi këtë reformë dhe ligjet që kanë të bëjnë me proceset elektorale i kam vlerësuar si mjaft të rëndësishme për ecurinë dhe rritjen e standarteve të administrimit të procesit zgjedhor. Një reformë zgjedhore e mirëhartuar dhe ligje elektorale që do të mundësonin një proces të drejtë zgjedhor, do të jepnin garancitë e duhura për realizimin e një procesi normal zhvillimi të demokracisë dhe pluralizmit në vend dhe më tej, realizimin e aspiratave të tij euro-atlantike. Ligjin e ardhur për shpallje, e konsideroj një përpjekje serioze dhe të domosdoshme për mirëadministrimin e procesit zgjedhor, por, gjej në të arsye për ta kthyer edhe njëherë në Kuvend për rishqyrtim.

Arsyeja, për të cilën nuk e dekretova këtë ligj, lidhet me dispozitën e nenit 9, pika 2 e tij. Kështu, neni 9, pika 2 i ligjit ka këtë formulim: “Presidenti i Republikës nxjerr dekretin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit”.

Ky rregullim, sipas vlerësimit tim, bie ndesh me nenin 8 të ligjit të ardhur për shpallje. Neni 8 ka parashikuar se zgjedhjet e përgjithshme për Kuvendin apo për njësitë e qeverisjes vendore, zhvillohen njëherësh në të gjithë territorin e vendit brenda periudhës që shtrihet nga 15 Marsi deri më 30 Qershor ose nga 15 shtatori deri më 30 nëntor”. Duke qenë që neni 65, pika 2 e Kushtetutës përcakton se “zgjedhjet për Kuvendin e ri zhvillohen në periudhën zgjedhore më të afërt që i paraprin datës së përfundimit të mandatit të Kuvendit”, atëhere periudha zgjedhore brenda së cilës duhen zhvilluar zgjedhjet e ardhshme të përgjithshme për Kuvendin, është periudha 15 mars deri më 30 qershor.

Neni 9, pika 2 e ligjit të ardhur për shpallje ka përcaktuar detyrimin e Presidentit të Republikës për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për Kuvendin jo më vonë se 9 muaj para mbarimit të mandatit të Kuvendit, pra, një afat i cili nuk mund të respektohet për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor. Ligji është dërguar për shpallje tek Presidenti i Republikës në datë 24.11.2008, dhe procedura e dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës, publikimit në Fletoren Zyrtare dhe hyrjes në fuqi të tij, parashikon një periudhe kohore te caktuar, duke krijuar kështu pamundësi reale për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve për periudhën zgjedhore 15 mars – 30 qershor.

Duke ushtruar kompetencën time kushtetuese kam besim se Kuvendi do të pasqyrojë vullnet maksimal politik dhe do të bëjë korrigjimet e nevojshme për shmangien e mospërputhjeve në afatet e vendosura në ligj, përfundon motivimi i Presidentit të Republikës drejtuar Kuvendit të Shqipërisë”.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›