E Diel, 1 Nëntor 2026

Zonja e Parë, Teuta Topi merr pjesë në takimin sensibilizues “Për një familje e shoqëri të barabartë dhe pa dhunë. Për mua, për ty, për ne: Ndal dhunës!”

3 dhjetor 2008

Zonja e Parë, Teuta Topi mori pjesë sot në takimin sensibilizues “Për një familje e shoqëri të barabartë dhe pa dhunë. Për mua, për ty, për ne: Ndal dhunës!”, të mbajtur në kryeqytet, në vijim të veprimtarive të ndryshme të organizuara në mbarë vendin kundër dhunës në familje.

Përpara një auditori studentor, Zonja e Parë, Teuta Topi, duke vlerësuar këtë takim si të një rëndësie të veçantë, për shkak të vetë specifikës dhe ndjeshmërisë së shoqërisë ndaj këtij fenomeni u shpreh:

“Dëshiroj në radhë të parë të shpreh kënaqësinë time të veçantë që sot jam këtu mes jush, për të diskutuar një nga fenomenet i cili ka prekur sot edhe shoqërinë shqiptare, atë të dhunës në familje.
Dhuna në familje, siç e dimë, nuk është një problem vetëm i shoqërisë sonë, por ajo sot paraqitet si një problem global, e cila ka tërhequr seriozisht vëmendjen e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, Agjensive, Organizatave dhe institucioneve të specializuara ndërkombëtare. Por duhet theksuar se parandalimi i saj është një pjesë integrale e objektivave të zhvillimit të Mijëvjeçarit. Duke u bazuar në vlerat universale të familjes, ku kufizimi i dhunës në familje na jepet si një akt i cili rezulton ose ka shumë mundësi të rezultojë me dëmtim fizik, seksual ose mendor, duke përfshirë kërcënime ose akte të ngjashme me to, si dhe heqjen arbitrare të lirisë, dhuna në familje nuk ka të bëjë vetëm me dhunën ndaj njërit prej bashkëshortëve, e cila, në më të shumtën e rasteve, është e drejtuar ndaj gruas.

Në konceptin e dhunës në familje sot përfshihen dhe nënkuptohen: dhuna ndaj grave, dhuna e prindërve ndaj fëmijëve, dhuna midis fëmijëve, dhuna e fëmijëve, kryesisht e adoleshentëve ndaj prindërve, si dhe dhuna ndaj të moshuarve. Këtu do të theksoja një shprehje të ish-Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, zotit Kofi Anan, i cili ka theksuar se “dhuna kundër grave është ndoshta dhunimi më i turpshëm i të drejtave të njeriut. Ajo nuk njeh kufij gjeografikë, kulturorë apo pasurorë”. Përderisa kjo vazhdon, nuk mund të pretendojmë të bëjmë progres drejt barazisë, zhvillimit dhe paqes. Respekti për familjen dhe qëndrueshmëria e saj është një ndër vlerat e shoqërisë sonë, por që dhuna dhe dukuritë e tjera që po zhvillohen brenda saj, e kërcënojnë seriozisht këtë burim vlerash që ne kemi. Nuk është e rastit që tradicioni shqiptar, duke qenë i kushtueshëm dhe relativisht i zgjatur në kohë, ka pasur dhe vazhdon të ketë pasoja të rënda për familjen dhe dhunën brenda saj. Në kohën tonë, familja e ka humbur qetësinë, e cila priret ta karakterizojë atë. Ajo është e kërcënuar jo vetëm nga faktorët tradicionalë, siç janë vdekja, sëmundjet, katastrofa të ndryshme, varfëria etj, por edhe nga faktorë jo tradicionalë, siç janë sjelljet devijuese, konfliktet dypalëshe, dhuna, alkoolizmi, përdorimi abuziv i drogës, braktisja, sëmundjet seksualisht të transmetueshme etj.

Dhuna në familje zakonisht konsiderohet si një çështje private, si rrjedhojë, nuk dihen me saktësi përmasat dhe frekuencat e këtij fenomeni. Megjithatë, studimet e kryera tregojnë se dhuna në familje, sidomos ajo ndaj grave dhe vajzave, është rritur gjatë kësaj periudhe të tranzicionit. Siç e thamë, ekzistojnë disa forma të dhunës në Shqipëri, dhuna fizike, e cila vihet re më shpesh në zonat rurale, dhuna psikologjike, dhuna shpirtërore, dhuna seksuale dhe dhuna ekonomike, e cila vihet re në zonat urbane. Motivet e ushtrimit të dhunës në familjen shqiptare kanë gjeneza të ndryshme. Shkaqet që ndikojnë në ushtrimin e kësaj dhune në familje favorizohen nga funksionimi patriarkal i shoqërisë sonë. Ato janë tradita dhe mendësia ballkanike e superioritetit mashkullor. Janë mungesa e respektit ndaj gruas, vlerat që i konsiderojnë gratë inferiore ndaj meshkujve, vlerat kulturore që tolerojnë sjelljet e dhunshme ndaj grave, zbatueshmëria e kanunit si subkoshienca shqiptare e kthyer në kohë, kushtet e zgjatjes së varfërisë ekonomike dhe shpirtërore, si dhe humbja e shpresës dhe perspektiva për të ardhmen. Unë do të theksoja që një faktor mjaft i rëndësishëm në dhunë, është mungesa e një kuadri të plotë ligjor mbi dhunën në familje. Arsyet se përse duhen marrë masat parandaluese dhe shpallur luftë kundër dhunës në familje, janë: çdo individ duhet ta gëzojë të drejtën themelore të tij për të jetuar i lirë dhe i paprekur nga dhuna. Kjo është e përcaktuar mjaft mirë edhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në rastet e dhunës në familje duhet treguar kujdes i veçantë ndaj viktimave, sepse efektet e dhunës ndjehen nga e gjithë shoqëria. Efektet fizike dhe psikologjike të dhunës përfshijnë çdo fushë të jetës. Ajo mund të çojë në izolim social, në sjellje jo sociale, në vazhdimësi ekonomike dhe në transmetim të modelit të dhunshëm tek fëmijët.

Por unë, në fjalën sot, do të doja të përshëndesja në mënyrë të veçantë përfaqësuesit e qeverisë shqiptare, të cilët kanë qenë ideatorët e kësaj fushate sensibilizuese, si Kryeministrin Sali Berisha, Kryetaren e Kuvendit, znj. Jozefina Topalli, organizatat e ndryshme joqeveritare, por në mënyrë të veçantë dua të përshëndes Ministrinë e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, të cilat kanë luajtur një rol mjaft të rëndësishëm në një fushatë shumë të fortë sensibilizimi dhe ndërgjegjësimi, duke e konsideruar këtë luftë, si përgjegjësi të të gjithë aktorëve, institucioneve shtetërore, komunitetit dhe të mbarë shoqërisë shqiptare. Gjithashtu, e përshëndes Ministrinë, edhe për hartimin e Strategjisë Kombëtare dhe të Planit të Veprimit kundër dhunës në familje, pasi siç e thamë, dhuna në familje është një fenomen shumë i përhapur në shoqërinë shqiptare dhe për rrjedhojë, lufta ndaj saj duhet konsideruar si një përgjegjësi e të gjithë ne së bashku, e institucioneve shtetërore, e komunitetit dhe individëve. Për të gjithë këta aktorë e faktorë, do të sugjeroja një besim më të madh tek gratë, i cili do të japë shumë fryte. Ai ndihmon që ato të kërkojnë të drejtat dhe të kuptojnë potencialin e tyre, ndërkohë, përfiton ekonomia dhe e gjithë shoqëria shqiptare. Duhet të njihet dhe të kuptohet mjaft mirë potenciali i femrave. Gjithashtu, ky investim tek gratë do të thotë të ndryshohen sisteme të cilat i diskriminojnë gratë dhe të besosh tek ato si agjente të ndryshimit. Barazimi i mundësive për arsim dhe shëndetësi, punësim dhe pjesëmarrje në jetën publike, do të japë fryte për breza të tërë. Ju falenderoj të gjithëve. Shumë shpresë është tek brezi juaj, i cili them se do të luajë një rol shumë të veçantë në këtë fushatë. Faleminderit”.

Në takim ishin të pranishëm dhe diskutuan, Zëvendësministrja e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta, Znj. Marjeta Zaçe, Përfaqësuesja e OKB-së në Shqipëri, Znj. Turkoz-Koslet, pedagogë, studentë të Fakultetit të Gazetarisë dhe të Shkencave Sociale, etj.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›