E Diel, 1 Nëntor 2026

Në 96 Vjetorin e Pavarësisë, nën kujdesin e Kryetares së Kuvendit çelet ekspozita me gravura me temë historike Shqiptarët në shekuj.

  Sot në përvjetorin e 96-të të Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë nën përkujdesin e veçantë të Kryetares Jozefina Topalli , në Galerinë e Arteve Figurative në Tiranë,  u çel ekspozita me gravura Shqiptarët në shekuj. Rreth 150 punime, të mbledhura nga koleksionistët Fotaq Andrea  e Dritan Muka, reflektojnë vëmendjen dhe përkushtimin e piktorëvë të huaj ndër shekuj, ndaj historisë së kombit shqiptar, trashëgimisë sonë kulturore dhe  identitetit europian të shqiptarit.
 
Në ceremoninë e hapjes, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli shprehu kënaqësinë e veçantë që, ekspozita me gravura çelet me ditëlindjen e kombit, ditës së pavarësisë.
Kjo ekspozitë me gravura të autorëve të huaj është unike e këtij lloji dhe paraqet një reflektim të momenteve më të jashtëzakonshme të historisë së vendit tonë, përpjekjeve epike të popullit tonë.
Në këtë ekspozitë kemi mundësinë që të shohim historinë që nga ilirët, epoka e Mbretëreshës Teuta, betejat e lavdishme të heroit tonë kombëtar Gjergj Kastriotit dhe përpjekjeve për liri e pavarësi- u shpreh Kryetarja e Kuvendit.   Drejtori i Galerisë së Arteve Rubens Shima tha se gravurat pasqyrojnë përfytyrime romantike të të huajve  që kanë vizituar Shqipërinë që nga antikiteti deri në gjysmën e parë të Shekullit XX, duke na dhënë  informacione të hollësishme për traditat, doket veshjet dhe zakonet e shqiptarëve, në rrjedhën e shekujve.   Koleksionisti Fotaq Andrea shprehu mirënjohjen të thellë për Kryetaren e Kuvendit që siç u shpreh ai, me dashamirësi dhe fisnikëri , bëri të mundur hapjen e kësaj ekspozite, me dokumente kaq origjinale, të rralla dhe me vlera  historike.
Ekspozita, si një dritare e veçantë estetike artistike dhe kulturore,  nxjerr në pah  figurën  e shqiptarit, identitetin dhe krenarinë e kombit tonë, si pjesë përbërëse e  kontinentit të lashtë europian u shpreh koleksionisti Fotaq Andrea.   Në hapjen e ekspozitës morën pjesë, përfaqësues të Trupit Diplomatik, drejtues të institucioneve, intelektualë dhe emra të njohur të artit dhe kulturës.                                          
 

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›