E Shtunë, 31 Tetor 2026

Moto GP Stoner dominon para nisjes se boterorit

Casey Stoner dhe skuderia e tij Honda kanë dominuar në testet e fundit, përpara nisjes së Botërorit 2011 në Moto GP. Piloti australian, i cili u largua nga Dukati në fund të botërorit të shkuar regjistroi kohën më të shpejtë në cirkuitin e Katarit, duke lënë pas me vetëm 64 të qindat shokun e tij të skuadrës Daniel Pedroza. Paraqitje e mirë e spanjollit që bashkë me Stoner kanë treguar se do të kërkojnë titullin kampion në këtë sezon.

Koha e tretë më e mirë në testet e fundit, u regjistrua nga Ben Spies, i cili do të garojë këtë Botëror me Yamaha. Amerikani ishte më i shpejtë se Marco Simoncelli. Në vendin e pestë u rendit Andrea Dovizioso, ndërsa koha e gjashtë më e mirë në cirkuitin e Katarit u regjistrua nga Randy de Puniet. Një paraqitje e dobët ka qenë ajo e kampionit të botës në fuqi Jorge Lorenzo.

Spanjolli me Jamahan e tij, nuk arriti të shkonte më shumë se vendi i shtatë. Testet e fundit shtuan më shumë dyshimet mbi Valentino Rosin, i cili do të garojë me Dukati. Piloti italian, i cili vazhdon të vuajë nga një dëmtim në shpatull u rendit vetëm në vendin e 13-të, duke konfirmuar problemet në prag të Botërorit të ri, i cili do të fillojë me Cmimin e Madh të Katarit që do të zhvillohet më 20 mars.

Nertan Prifti

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›