E Shtunë, 31 Tetor 2026

Motorët e ujit, mes kënaqësisë dhe frikës së pushuesve

OPERACIONI/ Policia ka nisur kontrollin dhe sekuestrimin e mjeteve që rezultojnë pa dokumente gjatë bregdetit


Tashmë në verë ata janë bërë dukuri e zakonshme. Jo rrallë shihen motorët e ujit të bëjnë guida, xhiro të rrezikshme, duke "ngrirë gjakun" e pushuesve. Në fakt, moratoriumi i tejzgjatur i skafeve nuk pati klasifikim për ta, edhe pse bëhet fjalë për mjete të shpejta motorike.


Rezervat nuk kanë munguar nga efektivë të veçantë, referuar fuqive të tyre, ndërkohë që zyrtarisht për ta pohohet se mund të mbahen nën kontroll. Por janë apo jo të dyshimta për trafikim, argëtimi i vënë në dispozicion jo pak herë nuk ka qenë shumë i këndshëm për pushuesit e tjerë.


Amatorët e ujërave, të cilët i marrin me qira, ndonjëherë bëhen kërcënues me lundrimet e çmendura, madje edhe aty ku ka frekuentim pushuesish. Dukuria është ekzagjeruar deri aty sa ka ndodhur që drejtimi t'u besohet edhe fëmijëve.... e në këto kushte plazhistëve nuk iu mbetet tjetër veçse t'i drejtohen me urgjencë tokës.


Për motorët e ujit, më tepër parapëlqehen ujërat e thella. Zonat Radhimë, Jonufër, plazhi te Kalaja, te Vilat janë vende të zakonshme ku dëgjohet zhurma e motorëve. Por thellësitë që kanë ujërat, nuk i pengojnë mjete të tilla të jenë edhe në distanca të shkurtra me bregun, pikërisht vende ku gjenden plazhistët.


Ka raste kur drejtuesit afrohen tek të njohur të tyre, thjesht për lojë, në një kohë kur "ngacmimet" mund të bëhen të rrezikshme, sidomos kur lojërat me motorin bëhen me shpejtësi jo të vogël.


Opinionet e plazhistëve


Albi, një nga plazhistët në plazhin publik në zonën e Ujit të Ftohtë pohon se deri tani nuk i ka parë si rrezik mjete të tilla. "Këtu i përdorin larg zonës prej ku ne lahemi. Një shokun tim një ditë e kthyen mjetet e policisë, pasi shkoi pak më larg dhe të paktën deri këto ditë, nuk janë përdorur keq në këtë zonë motorët e ujit",- pohon ai.


Ndërsa Era, një nga plazhistet në zonën e Radhimës, pohon se përditë e më tepër ndihen të bezdisur nga përdorimi i shumë mjeteve të tilla. "Këto varkat e ujit na vijnë vërdallë gjatë gjithë kohës kur lahemi, në një kohë kur mund të jenë të zhvendosura pak më tutje.


Ato vërtet nuk kanë rrezikshmëri, por prania aq pranë zonës ku lahemi, rrotullimet që bëjnë këtu, na bëjnë të mos ndihemi komodë. Më keq akoma janë motorët e ujit, kur kalojnë paksa afër dhe duhet t'ia besosh jetën këtyre të rinjve që nisin këta motorë. Ata ndonjëherë vijnë drejt me shpejtësi, për të marrë kthesën fare pranë nesh. Shumë herë kur lahemi duhet të jemi të vëmendshëm. Kjo pasi motorë të tillë bëjnë xhiro me shpejtësi të mëdha, thotë ajo.


"Më mirë dal menjëherë nga deti se të rri aty kur shikoj që vozitin motorët me shpejtësi, - shprehet një pushues maqedonas. Me një shqipe të kuptueshme ai shpjegon se ndonjëherë ndihet i bezdisur.


- Vërtet që këto mjete të argëtojnë, por duhet të ketë një shpejtësi limit apo edhe një kufi pak a shumë të përcaktuar. Edhe mua do të më pëlqente aventura e një xhiroje me to, por kështu si bëjnë ndonjëherë këta në det, nuk është normale".


Shumë më ndryshe vjen opinioni i një pushuesi tjetër nga Fieri. Ai pohon se e ka përdorur motorin e ujit dhe është vërtet argëtuese. "Se ndodhi një rast, kjo nuk do të thotë që t'i heqim nga qarkullimi. Ndodhin aksidente me makinë, ka penalizime. Kështu duhet të jetë edhe kur ndodhin aksidente.


Autori të përgjigjet e të merren masa për të mos shkelur rregullat, por jo të fillojnë tani bllokimet e masa të tilla". Sipas tij, bregdeti i Vlorës jep më tepër dorë për përdorimin e motorëve, pasi ka zona ujore ku nuk ka fare pushues, ujërat janë të thella. "Thjesht me këto mjete nuk duhet abuzuar. Ato janë kënaqësi për argëtimin në det", thotë ai.
Nis operacioni "Skuter".


E kanë koduar operacioni "Skuter" dhe aktualisht është në zbatim në ujërat detare të gjirit të Vlorës. Ai ka nisur prej dy ditësh dhe ka në objektiv mjete lundruese që nga Semani deri në zonën e Sarandës, ndërsa janë pjesë e tij policia kufitare dhe Delta forcë. Gjithsesi, objekti kryesor janë motorët e ujit.


Drejtori i drejtorisë së kufirit dhe migracionit për qarkun e Vlorës, Myzafer Elezi, pohon se në qendër të operacionit janë kontrolli i dokumentacioneve, nëse janë të regjistruar, nëse drejtohen nga persona me patentë, çka nënkupton përdorimin nga të rriturit, nëse përdoren nga emra që janë subjekte që paguajnë vlerat tatimore.


Këto mjete duhet të respektojnë distancën prej 300 metrash nga vija bregdetare. Sipas Elezit, masat do të jenë radikale, deri në bllokim të këtyre mjeteve, nëse nuk respektojnë të gjitha kushtet për t'u përdorur.


Elezi tha se aktualisht jemi në operacion deri në disiplinim të plotë të drejtuesve të këtyre mjeteve, si dhe pajisjen e tyre me dokumentacione. Sipas tij, deri tani në Vlorë nuk ka pasur asnjë rast dëmtimi apo të tjerë që do të krijonin precedentë negativë. Po sipas tij nuk ka pasur as denoncime nga qytetarët në lidhje me keqpërdorimin e këtyre motorëve.


Përdorimin për një trafikim të mundshëm Elezi e mohon. "Këto mjete kanë të përcaktuar respektimin e një distance, 2 milje nga gjiri i Vlorës, e nëse kjo shkelet, janë mjetet tona, - tha ai, duke iu referuar atyre që disponohen nga drejtoria, mjeteve të guardia di finanzës, radarëve të vendosur, - që i ndalojnë. Arsye tjetër për të kryer trafik është pamundësia fizike e tyre.


Pak për motorët e ujit


Siç mësohet, fuqia motorike e këtyre mjeteve shkon nga 1200 deri në 2500 kw dhe mund të arrijnë një shpejtësi deri në 60 milje në orë. Bëhet fjalë këtu për motorët e mëdhenj.


Madhësia e tyre mund të kapë rreth 2 metër gjatësi. Zakonisht ata jepen kundrejt një qiraje prej 5 mijë lekësh të reja në orë. Shoqëruar me motorin e ujit jepet dhe jeleku i shpëtimit, që hyn te aksesorët e sigurisë për jetën. Motori është i përdorshëm për dy persona, pavarësisht se ka raste kur në trupin e tij dallohen edhe tre vetë.


Për përdoruesit deri tani nuk është parë aspak i nevojshëm trajnimi për mjetin, pasi ai vlerësohet i thjeshtë në përdorim. Mjaftojnë ca këshilla të përgjithshme që kufizohen te mënyra si veprohet nëse rrezikon rënien, ku mjafton tërheqja e një doreze, që është në të njëjtën dorë me të cilën i jepet gazi.


Po kështu tërhiqet vëmendja edhe për të mos ecur shpejt apo në vende ku ka familjarë, porosi të cilat për një kategori duket sikur harrohen, sapo mjeti merr kontaktin me ujin.


Për disa specialistë, mjete të tilla ka raste kur bëhen të rrezikshme, pasi motorët e tyre mund të jenë të fuqishëm dhe shpejtësia me të cilën çajnë ujin, e madhe. Ata thonë se patjetër këto mjete duhet të ruajnë një distancë të caktuar nga mjetet e tjera në lundrim, e aq më tepër te plazhistët.


Velipojë, dy të dëmtuar nga motorët e ujit


SHKODËR - Pushuesit në plazhin e Velipojës janë të shqetësuar nga rreziku që iu kanoset nga mjetet e ujit gjatë kohës kur ata lahen në det. Motorët e ujit, por dhe mjetet e tjera lundruese janë kthyer në një shqetësim jo të vogël të pushuesve, veçanërisht të atyre që përqendrohen në qendër të plazhit dhe ku fluksi është i madh. Mjetet motorike në ujë nuk respektojnë distancat e caktuara në thellësi të detit, ku dhe nuk ka persona që lahen, por lëvizin me shpejtësi të madhe jo larg bregut, aty ku ka mjaft persona që notojnë.


Shqetësimi i pushuesve është rritur dhe nga dy raste të ndodhura në këtë fundjavë, ku dy pushues që po notonin janë dëmtuar nga motorët e ujit, madje pas dhënies së ndihmës së parë pranë qendrës shëndetësore në Velipojë, njëri prej tyre është dërguar për mjekim më të specializuar në spitalin e Shkodrës.


Të rrezikuar janë dhe fëmijët që notojnë pranë bregut dhe nuk kanë mundësi të shmangen në kohë nga mjete të tilla, drejtuesit e të cilave nuk janë të disiplinuar. Nga policia mësohet se kontrollin e mjeteve në ujë e bën policia kufitare dhe për dy rastet e dëmtimeve të identifikuara kanë qenë këto struktura që kanë ndërhyrë.


Pushuesit kërkojnë që mjetet motorike në ujë të detyrohen nga strukturat përkatëse të respektojnë distancat e përcaktura me ligj për largësinë nga deti, ndërsa në këtë plazh këtë sezon mungojnë skuadrat e shpëtimit dhe rojet bregdetare.


Operacioni i bllokimit nis nga Durrësi


Pak orë pas plagosjes së rëndë që pësoi turisti kosovar Sabit Kuçi, i cili mori plagë të rënda pasi u godit nga një motor uji, policia mori masa të menjëhershme. Marrja e masave bëri që të dalin në pah edhe disa probleme që nuk diheshin, pasi të gjithë drejtuesit e skuterave nuk kishin patenta drejtimi dhe ishin të painstruktuar. Policia këtë kriter e vuri si domosdoshmëri për të ardhmen.


Pas aksidentit, drejtori i Policisë së Durrësit deklaroi se për të garantuar jetën e shëndetit të pushuesve nuk do të lejohej asnjë mjet motorik të qarkullonte në det pa respektuar normat e përcaktuara në ligjin për lundrimin e mjeteve motorike. Çka do të thotë se drejtuesi i tyre duhet të jetë i pajisur me dëshmi aftësie për mjete motorike detare.


Pas këtij kundërveprimi 3 skafe të policisë kufitare të Durrësit kanë nisur "gjuetinë" ndaj motorëve të ujit. Në shënjestër të operacionit që do të zgjasë deri më 15 shtator, do të jenë të gjitha ato mjete që lundrojnë në ujëra të cekëta, plot me pushues.


Skuterat e detit do të mund të lundrojnë vetëm në ujëra të thella (të paktën 500 metra larg bregut). Ndërsa gjatë manovrës për t'u ankoruar në breg, kur u afrohen pushuesve drejtuesit e tyre duhet të ecin me minimumin e gazit.


Operacioni ka filluar në fundjavë dhe ka pasur si bilanc rreth 20 copë të bllokuar nga policia. Ndër to 16 janë bllokuar në zonën e Golemit dhe 4 në Durrës. Ditën e diel është bllokuar vetëm 1 në afërsi të sektorit "Teuta" të plazhit në Durres dhe pas kësaj i gjithë bregdeti ka rënë në qetësi.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›