E Diel, 1 Nëntor 2026

Motori përplas 50-vjeçaren që shkonte në dasmë

Mexhide Xhahuri ishte duke kaluar rrugën kur është goditur nga motori. Një tjetër aksident plagos rëndë dy persona në Nikël


DURRËS- Është nisur nga Yzberishi i Tiranës për në dasmën e një të afërmi por aksidenti i merr jetën në Durrës. Ky ka qenë fati i keq i 50- vjeçares Mexhide Xhahuri, e cila pasi është përplasur me motoçikletën ka humbur jetën në spitalin e Durrësit.


Dëshmitarët në vendngjarje kanë deklaruar se 50-vjeçarja ka humbur jetën e përplasur nga një motoçikletë, teksa tentonte të kalonte në anën tjetër të rrugës. "Gruaja u përplas për vdekje nga një motoçikletë që drejtohej nga një 21- vjeçar, rreth orës 11:45 të ditës së sotme (dje), në rrugën unazë të ish-kënetës pranë Shkozetit",- thanë burimet policore.


Sipas tyre, drejtuesi i mjetit motorik tip "Yamaha" Elton Tuçi, 21 vjeç, me banim në Shën Vlash dhe 25 -vjeçari nga Lushnja, Ilir Dama, që udhëtonte së bashku me të, janë dëmtuar si pasojë e përplasjes dhe u dërguan edhe ata për të marrë ndihmë mjekësore në Spitalin Rajonal të Durrësit.


Aksidenti, sipas hetimeve të para, është pasojë e shpejtësisë me të cilën lëvizte motoçikleta në zonën e banuar të ish-kënetës në afërsi të mbikalimit të Shkozetit.


Sipas policisë, motoçikleta ka qenë duke ecur me shume shpejtësi në drejtim të mbikalimit të Shkozetit kur është përplasur me viktimën 50- vjeçare nga Yzberishi.


Të dy djemtë që ndodheshin mbi motor kanë qenë pa kaska në kokë dhe motori ishte pa targa. Sipas dëshmitarëve, motori ka shkuar zvarrë në rrugë duke u përplasur më pas edhe mbi bordurat e ulëta ndarëse të rrugës automobilistike. Matjet e bëra nga policia kanë treguar se motori ka shkuar zvarrë për rreth 150 metra.


Ndërkohë një tjetër aksident është shënuar paraditen e djeshme në aksin Fushë-Krujë-Tiranë, në afërsi të Niklës. Dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin dhe si pasojë kanë mbetur të plagosur rënde dy persona.


Një Benz me targa të Laçit, i cili udhëtonte në drejtim të Tiranës, duke tentuar parakalimin është përplasur me një tjetër Benz me targa të Tiranës dhe si pasojë ka dalë nga rruga dhe është përmbysur.


Sipas policisë në vendngjarje, ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara nga drejtuesi i mjetit me targa të Laçit, shkak i këtij aksidenti.


Të lënduarit, emrat e të cilëve nuk dihen ende, janë dërguar me urgjencë në Spitalin Ushtarak të Tiranës nga ku mësohet se janë në gjendje të rëndë për jetën.

 

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›