Topi: Dekretoj qeverinë brenda afateve. Mediu, ekskluzivitet i Berishës
TIRANË- Presidenti i Republikës, Bamir Topi ka deklarua sot se do ti referohet vetëm Kushtetutës në dekretimin e qeverisë së re. Pas ceremonisë së nisjes së vitit të ri shkollor, Topi iu është përgjigjur gazetarëve për qeverinë e re, por nuk ka pranuar të prononcohet për ministrin nën akuzë, Fatmir Mediu.
"Unë nuk jam emocional në punën time, kur kam qenë politikan kam qenë i tillë, por tashmë puna ime bazohet vetëm mbi Kushtetutë. Edhe në rastin konkret, unë do zbatoj Kushtetutën, duke dekretuar qeverinë brenda afateve", u shpreh Presidenti.
Sipas tij, propozimet janë ekskluzivitet i Kryeministrit Berisha dhe se personalisht si kryetar shteti do të veprojë në bazë të Kushtetutës.
"Natyrisht ju e dini që në Shqipëri pushtetet janë të ndara. Sikurse jam shprehur edhe në shumë momente të tjera, preokupimi im kryesor është që të mos devijoj për asnjë çast nga zbatimi i neneve të Kushtetutës, i gjithë kuadrit ligjor që rregullon aktivitetin e Presidentit në raport edhe më çështjen në fjalë. Çka do të thotë që në të gjithë procesin tim të dekretimit unë i referohem në mënyrë shumë rigoroze detyrimit kushtetues, ndërsa përsa i përket çështjes së këndvështrimit politik edhe moral është detyrë e Kryeministrit. Kështu që prisni".
Presidenti nuk bëri të ditur ditën se kur do të dekretojë qeverinë, port tha "se stafi i Presidencës po punon prej tre ditësh dhe unë sapo të shkoj në zyrë do të punoj për këtë".
Dekreti i Presidentit mban pezull qeverinë e re
Dita e sotme do të jetë një provë për marrëdhëniet mes tre institucioneve më të larta shtetërore, Presidencës nga njëra anë dhe Kryeministrisë e Kuvendit nga ana tjetër. Tre krerët më të lartë të shtetit pritet të përballen sot me një luftë nervash, për shkak të dekretimit dhe miratimit më pas të qeverisë së re. Ndërsa kreu i shtetit, Bamir Topi, nuk ka vendosur ende lidhur me dekretin e tij për emrat e ministrave të kabinetit të ri qeveritar të paraqitur nga mazhoranca. Kuvendi dhe Kryeministri Berisha janë bërë gati për ta miratuar atë sot pasdite në seancë plenare.
Kuvendi pritet të mblidhet sot në seancën plenare të radhës, me rend dite diskutimin dhe miratimin në parim të programit dhe përbërjes së qeverisë së re, të riformatuar prej Kryeministrit të mandatuar, kreut të PD-së, Sali Berisha. Megjithatë, burime pranë institucionit të Kuvendit bëjnë të ditur se çdo gjë do të varet nga gatishmëria e kreut të shtetit për të shpallur dekretin e tij për qeverinë e re. Kështu, mësohet se Kryetarja e Kuvendit, në mungesë të konstituimit të Konferencës së Kryetarëve, është në pritje pikërisht të dekretit të Presidentit, për të thirrur menjëherë më pas seancën plenare. Ndërkohë që nga ana tjetër, edhe vetë Kryeministri Berisha është bërë gati që ta mbrojë qeverinë dhe programin e saj ditën e sotme. Burime nga Kryeministria kanë bërë të ditur se Kryeministri i rimandatuar ka disa ditë që është duke u përgatitur për programin dhe fjalën që do të mbajë para deputetëve në seancën e sotme, me rastin e miratimit të qeverisë së re. Megjithatë, duket se përgatitjet e këtyre dy institucioneve kanë si qëllim vetëm të vënë përpara presionit kreun e shtetit për të hedhur sa më parë firmën e vet në dekretin përkatës, pasi, siç edhe konfirmohet, deputetët nuk janë njoftuar ende për thirrjen e seancës së sotme.
Pavarësisht përgatitjeve të Kuvendit dhe Kryeministrit për të miratuar sot qeverinë e re, duket se kreu i shtetit është i vendosur për të mos rënë pre e presionit të ushtruar në këtë drejtim. Burime brenda institucionit të Presidencës bëjnë të ditur se Topi nuk ka përcaktuar vendimmarrjen e tij në këtë drejtim, ndërkohë që konfirmojmë se deri në mesditë ai do të jetë i angazhuar në një axhendë të ngjeshur aktivitetesh, që nisin që në mëngjes me pjesëmarrjen e tij në nisjen e vitit të ri shkollor në një prej shkollave të kryeqytetit, ku dhe pritet të mbajë një fjalë përshëndetëse. Megjithatë, kreu i shtetit gjendet brenda afateve ligjore që i njeh Kushtetuta për nxjerrjen e dekretit të tij. Sipas Kushtetutës, kreu i shtetit ka 7 ditë kohë në dispozicion për të kryer verifikimin e emrave të ministrave dhe për të shpallur dekretin e tij. Nderkohë që kabineti i ri qeveritar atij i është vënë në dispozicion vetëm të mërkurën e shkuar nga kryeministri, kështu që i mbetet ende edhe një ditë kohë për të emëruar 15 ministrat e rinj.