Keqkuptimet e besës
Tjerrja false e fjalës së dhënë si veçori e shqiptarëve përcaktoi edhe shfaqjen e ditës së shtunë në Teatrin Kombëtar, me titull "Doruntina" nga një trupë e përzier aktorësh kosovarë e amerikanë.
Kuptohet lehtë se fjala shqipe besë ka një veçanti: ajo bën pjesë njëkohësisht në dy çerdhe fjalësh, në ato që lidhen me benë, betimin, pra fjalën e lidhur ose fjalën e dhënë dhe me ato që lidhen me të besuarit, besimin etj. pra fenë apo kredon e njeriut.
Me të drejtë Çabej vuri re se fjala besë nuk lidhej etimologjikisht me fjalën bind, bindje, sikurse mendonte Gustav Meyeri (pra jo me foljen binden të gjermanishtes, që do të thotë lidh) por me fjalët greke: pitho, pistome dhe latine për besimin: foedus e fides (Studime etimologjike II).
Një veçanti tjetër e besës është që ajo hyri në Kanunin tonë të maleve si një nej i veçantë. Përkufizimi i kuptimit të parë të besës sipas fjalorit të 1954-s thotë: "afat sigurimi që i jepte shtëpia e të vrarit dorasit, e meshkujve të familjes së tij, me zotim që brenda kësaj kohe nuk kërkonte gjak prej tyre".
Ky pra është kuptimi kryesor i besës dhe me këtë veçanti ajo hyri në disa gjuhë ballkanike, kështu deri dhe në turqishten ku do të thotë "armëpushim midis dy individësh ose palësh".
Në përdorimin jashtëkanunor besa hyri si një sinonim përforcues për "fjalë e dhënë". Vetë karakteristika e saj dyfishe, pra që kishte brenda edhe betimin edhe besimin, e krijonte natyrshëm këtë përforcim: pra, jap fjalën duke bërë be mbi të (plus brenda ngjyrimi që besoj në këtë betim).
Me sa duket këtu luajtën rol dy faktorë që e nxirrnin të dobët "fjalën, fjalën e dhënë". Në shqipe fjala "fjalë" është disi e lehtë, fjalë njeriu thotë shumë, "fjalët i merr era", "fjalën e mirë e gurin në trastë", shkurt, një fjale të thjeshtë nuk i zihej besë.
Rastet e shumta të pabesisë, thikat pas shpine, ndërrimet e shpeshta të kampeve, të besimit, bindja ndaj më të fortit, i shtynë mesa duket shqiptarët të kërkonin njëfarë rituali për t'i besuar fjalës së dhënë dhe ky ishte betimi mbi këtë fjalë, dmth. besa.
Në gjuhë të tjera ky përforcim nuk ekziston sepse mesa duket ka qenë i panevojshëm, kështu anglezi thotë "to give his word", gjermani "sein Wort geben", italiani "dare la parola" e kështu me radhë dhe kjo u mjafton.
Kaq e më shumë jo. Gjithë harlisjet e kohëve moderne për besën si një institucion besnikërie karakteristik për shqiptarët, për shqiptarët si njerëz që japin edhe jetën për të mbajtur fjalën etj. etj. janë thjesht krijime të fantazisë dhe nacionalizma.
Këtë na e vërtetojnë edhe shprehje boshe si "shqiptari kur jep fjalën ther djalën", dmth. natyrisht që nuk e bën por vetëm e thotë, e po kështu ndodh me besën.
Ndryshon puna me besën kanunore, fjala e dhënë që për një kohë të caktuar nuk ka me u derdhë gjak, kjo po është e rëndësishme se ka të bëjë me kokë njeriu, ky mund të quhet institucion i veçantë për malet e Shqipërisë. Por jo një institucion nga ato me të cilët mund të mburremi faqe botës.
Kurse me besën poetike vazhdojmë të mburremi, për shembull që kaq e fortë është kjo fjalë, saqë ajo e bën të vdekurin të ngrihet nga varri vetëm e vetëm që ta mbajë besën, sikurse ndodhi në rastin e Konstandin gjëmëmadhit që u ngrit nga balta për ta sjellë në shtëpi Doruntinën.
Krijohet përshtypja sikur vetëm shqiptarët e kanë këtë baladë, sepse vetëm ata e kanë besën. Në të vërtetë motivi i ngritjes së vëllait ose burrit nga varri është i përhapur në të gjithë popujt e Ballkanit dhe më tej.
Ndryshojnë vetëm nuanca, kështu p.sh. në variantin serb motiv kryesor është dashuria e motrës, kurse në variantet shqiptare, greke e bullgare është dashuria e nënës ajo që e bën vëllanë e vdekur të ngrihet nga varri.
Motivi i kalorësit të vdekur është p.sh. shumë i njohur edhe në Gjermani si Balada e Lenorës, falë poetit Gottfried August Buerger, autorit të "Baronit Mynhausen" dikur shumë popullor edhe te ne. Kudo, në gjithë vendet ballkanike e europiane ku është endur motivi, ndoshta edhe më tej, thelbi është që duhet çuar në vend fjala e dhënë.
Tjerrja false e fjalës së dhënë si veçori e shqiptarëve përcaktoi edhe shfaqjen e ditës së shtunë në Teatrin Kombëtar, me titull "Doruntina" nga një trupë e përzier aktorësh kosovarë e amerikanë.
Megjithë përpjekjen dhe lojën e pakursyer të aktorëve, përmbajtja e stërnjohur dhe boshe e subjektit që përmblidhet në fjalinë "Konstandini i dha besën nënës se do t'ia sjellë gjithëqysh vajzën e martuar larg dhe e bëri këtë gjë edhe i vdekur" solli që gjithë kohën të ripërtypej ky pohim.
Ai u kthye në të gjithë kollotumbat dhe kuajt e mundshëm, në shqip dhe në anglisht, me nga dy-tre Konstandinë dhe dy-tri Doruntina, ai ngriti në këmbë gjithë kabatë e Jugut të Shqipërisë dhe kur pa që s'mjaftonin futi brenda një kërcim pule-disko dhe aerobi amerikane.
Krejt vërtitjet dhe huptirihupet e aktorëve rreth fjalës së dhënë, kulmuan në fund te pohimet që "besa është feja e shqiptarëve" dhe, pasi që dy gratë - nënë e bijë - mbyllën sytë, bota do të dëgjonte për këtë vend ashtu siç kishte dashur Doruntina të ndodhte.
Tek shihja këtë karusel me karroca bese dhe dëgjoja anglishten e kulluar të aktorëve, mendoja, ah, kur vetë e paskemi kaq vështirë të bëjmë teatër, do të kemi ndonjëherë fatin ta dëgjojmë këtë gjuhë në Teatrin tonë ndoshta me një pjesë të Shekspirit? Do dëshiroja t'i merrja besën për këtë punë ministrit të ri të Kulturës.