Motra e viktimës: Nipi ka shpirt krimineli, e vrau të atin në gjumë
Motra e Rasim Lekës, 58 vjeçarit të vrarë mbrëmjen e së premtes nga djali i tij i madh, Ervini, kërkon dënim maksimal ndaj nipit.
Nuk e di me saktësi se si Ervini e ka vrarë të atin, por di të them që ata gjithmonë kanë pasur përplasje me njëri-tjetrin. Se çfarë ka ndodhur atë natë, e di vetëm Rasimi, por ai nuk është më dhe i ka marrë të gjitha me vete. Nuk ka mundësi të na ndriçojë rreth asaj që ka ngjarë mes tyre. Rasimi ka gjetur vdekjen nga një plumb i vetëm, që i ka hyrë nga shpatulla e majtë dhe i ka dalë poshtë barkut, duke i prekur të gjitha organet. Ne e kemi gjetur të shtrirë në krevat dhe të larë në gjak, pa shenja jete. Kjo na lë të dyshojmë që nipi e ka vrarë tim vëlla në gjumë, rrëfen motra e viktimës.
Halla tregon se Ervini ka qenë vazhdimisht problematik.
Im vëlla ankohej vazhdimisht tek ne për problemet që i shkaktonte i biri. Ervini kthej çdo ditë në shtëpi pothuajse rreth orës dy tre të mëngjesit. Në çdo dyqan merrte borxhe dhe njerëzit e kapnin vëllain tim për xhakete për ti kërkuar paratë. Ai kurrë nuk ndihej, por ia paguante, në mënyrë që njerëzit të mos e kuptonin kurrë se çfarë djali kishte. Nuk donte që të tjerët të flisnin keq për të birin. Shqetësimet që shkaktonte ai nuk mbaronin kurrë. Kam përshtypjen që ai është përdorues droge, luante bixhoz, dehej, rrinte gjithë natën nëpër pub-e e diskoteka, harxhonte para dhe kurrë nuk bëri një punë që të ndihmonte familjen e tij, rrëfen halla për gazetën Shqip.
Ajo shprehet se Ervini ka shpirt krimineli dhe mendon se dikush e ka shtyrë që të vrasë të atin në pabesi./A.XH