E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho mburret me Realin

Mbrojtje dhe kundërsulm i Jose Mourinhos. Trajneri portugez i ka prekur disa tema të nxehta, duke u mbrojtur dhe duke u hedhur në kundërsulm në konferencën për shtyp që e mbajti të hënën mbrëma.

‘Special One’ ka folur për gjasat që ka ekipi madrilen për titull të kampionit të Spanjës. Ai kërkon nga njerëzit të mos nguten, edhe pse ekipi i tij ka 5 pikë më shumë se konkurrenti kryesor, Barcelona.

“Nuk ka përfunduar asgjë, sepse 5 pikë nuk janë asgjë. Ne disa muaj më parë i kemi humbur 5 pikë për 2 ditë, 3 me Levanten dhe 2 me Santanderin. Kjo mund të ndodhë sërish”, deklaroi ish trajneri i Portos, i Chelseas dhe i Interit.

Ai i ka sulmuar në njëfarë mënyrë edhe gazetarët, të cilët merren vazhdimisht me golat e shumtë të pësuar nga ana e ‘Los Blancos’.

“Për vite të tëra dëgjoja të thuhej se skuadrat e mia po luanin për rezultat dhe se nuk dhuronin spektakël. Fitonim ndeshje 1:0 dhe ishim perfektë në mbrojtje. Tash që e kam në ekip ‘Këpucën e Artë’, që shënojmë aq shumë dhe që i mposhtim rekordet e shumta, më thoni se jeni të preokupuar për golat e pësuar? Më thoni më saktësisht, çka dëshironi?”, shtoi portugezi.

Ai ka siguruar se nuk ekziston asnjë çështje Ronaldo, duke shtuar se futbollisti portugez nuk është as i trishtuar e as i hidhëruar.

“Nuk e festoi golin dhe tash? Përse nuk merreni me mua që nuk e kam festuar asnjërin nga 5 golat që ia dhamë Granadas? Duhet ta shikoni mirë faktin që Ronaldo ka festuar në golat tjerë, që ishin më të rëndësishëm”, vazhdoi ai.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›