E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinho, ndoshta më i miri

Pep Guardiola thotë se për t’u bërë trajner i mirë nuk është e domosdoshme të luani futboll. Mendimin e tij e mbron duke marrë për shembull rivalin nga Real Madridi, Jose Mourinho, për të cilin thotë se aktualisht mund të konsiderohet si trajneri më i mirë në botë. Sa i përket të ardhmes, Guardiola pranon se do të preferonte të largohej vetë nga Barcelona në vend se të shkarkohet.

Trajneri i Barcelonës, Pep Guardiola beson se Jose Mourinho, homologu i tij nga skuadra rivale Real Madrid, mund të jetë aktualisht strategu më i mirë në futboll.

Të dyja ekipet janë përfshirë në duele të nxehta së fundmi dhe me gjithë mendimet e kundërta rreth çështjeve të ndryshme, Guardiola dhe Mourinho ende nuk janë konfrontuar me njëri tjetrin.

Në fakt, ishte asistenti i Barcelonës, Tito Vilanova të cilin Mourinho e sulmoi duke ia futur gishtin në sy në ndeshjen e dytë të Superkupës së Spanjës në gusht duke zgjuar sugjerime se rivaliteti mes skuadrave duhet të kontrollohet.

Megjithatë, ish kapiteni i Barcelonës, rezervoi lëvdata për homologun e tij portugez, i pyetur nëse karriera si futbollist është përparësi për një trajner. Guardiola përmendi Mourinhon si shembull që e dëshmon të kundërtën.

“Nuk është e domosdoshme të luani futboll për t’u bërë trajner i mirë”, tha Guardiola për të përditshmen sportive spanjolle AS. “Arrigo Sacchi e ndryshoi këtë sport pa e luajtur kurrë, ndërsa Jose Mourinho është ndoshta trajneri më i mirë në botë. Nëse keni qenë në zhveshtore si futbollist do të keni përparësi në situata të caktuara, por edhe nëse nuk keni qenë ju jep përparësi tjera. E tillë është jeta, si futbollist nuk kam pasur dhunti fizike që janë dalluar, por kam shpëtuar. Kam përforcuar aspektet tjera”, shtoi strategu i gjigantit katalan.

Guardiola vazhdimisht ka theksuar se nuk do të qëndrojë gjatë në drejtim të Barcelonës dhe pranon se do të ishte më mirë të largohet derisa është në krye, në vend se të braktis ekipin pas dëmtimit të reputacionit të tij.

“Kur isha futbollist, e kuptova se isha në një moment ku nuk mund të jepja më tepër nga vetja. Moment në të cilin isha i lodhur dhe e di se edhe si trajner do të jetë njësoj. E di se do të vjen dita kur do të ndihem i lodhur dhe do të largohem. Shpresoj të vjen ajo ditë, sepse zakonisht trajnerët shkarkohen para se të vendosin vet rreth largimit për shkak se janë duke u mposhtur. Tani për tani, mund të zgjedh, por e di se gjërat nuk do të jenë gjithmonë kështu. Trajnerët që humbin shkarkohen”, përfundoi ai.

Në vetëm sezonin e tij të katërt si trajner, Guardiola ka udhëhequr Barcelonën drejt tre titujve të njëpasnjëshëm në La Liga, Copa del Rey dhe dy trofe të Ligës së Kampionëve.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›