Mourinho ndryshon formacionin në 4-3-3
Angel di Maria do të jetë ‘viktima’ kryesore e ndryshimit të formacionit të Real Madridit në sezonin e ardhshëm, ka raportuar e përditshmja sportive spanjolle, Marca, të dielën.
Reprezentuesi argjentinas pritet të humbë vendin në formacionin bazë, pasi Marca – gazetë e informuar mirë për zhvillimet në gjigantin madrilen – ka bërë të ditur se trajneri Jose Mourinho synon të ndryshojë formacionin për sezonin e ardhshëm.
Në vend të 4-2-3-1, siç u paraqit Reali në pjesën më të gjatë të edicionit të fundit, përveç në katër ndeshjet me Barcelonën në fazën përfundimtare të sezonit, Mourinho do të aplikojë formacionin e tij të preferuar 4-3-3, me të cilin arriti sukses në Porto dhe Inter.
Di Maria, 23 vjeç, i cili sezonin e kaluar luajti rregullisht në krahun e djathtë, në rast të ndryshmit do të humbë vendin e tij nga renditja e re dhe inkuadrimi i përforcimit të ri, Nuri Sahin, i cili erdhi në Real nga Borussia Dortmund.
Ekipi titullar i Real Madridit për sezonin e ardhshëm në formacionin 4-3-3, sipas Marcës do të jetë: Casillas; Ramos, Pepe, Carvalho, Marcelo - Khedira, Xabi Alonso, Sahin - Özil, Benzema, Ronaldo.