E Shtunë, 31 Tetor 2026

Nje Argjentine 4-balleshe kunder Shqiperise

Nuk mjaftonte një vijë sulmuese me 3 lojtarë jashtëklasi. Jo, Argjentina nuk paska të ngopur dhe trajneri Batista po mendon të rrisë dozën ofensive për të provuar se deri ku mund të arrijë në këtë aventurë. Ndaj Shqipërisë, nesër në “Monumental” të Buenos Airesit, argjentinasit jo vetëm do të kenë 3 lojtarë të sulmit, por edhe një tjetër yll sulmues të vendosur pas tyre.

Skema parashikon Lionel Mesin të vendosur pak prapa sulmit, në një rol disi më të tërhequr, ndërsa përpatra tij do të jenë Laveci i Napolit, Higuain i Realit të Madridit dhe Karlos Tevez i Mançester Sitit.

Por, ekziston mundësia që Batista të zgjedhë edhe një treshe tjetër, gjithashtu të shkëlqyer, atë të përbërë nga Di Maria i Realit, Diego Milito i Interit dhe Kun Agero i Atletikos së Madridit. Si përfundim, trajneri i bardhekaltërve edhe mund të kombinojë opcionet e tij sulmuese, pra të përziejë dy treshet e mësipërme për të krijuar treshe të reja, gjithashtu shumë të rrezikshme.

Kjo përsa i përket Argjentinës, ndërsa trajneri i shqiptarëve, Kuzhe, nuk është se ka shumë alternativa. Me Beqajn në portë, me Andi Lilën, Veliun, Vrapin dhe Vangjelin në mbrojtje, ai me shumë mundësi do të vendosë dy lojtarë shkatërrues para tyre: Bulkun dhe Gilman Likën, për të vazhduar me një treshe fantazie në mesfushë të përbërë nga Muzaka, Hyka e Bakaj, ndërsa në sulm mendohet se do të jetë i vetëm Kapllani.

Këto do të jenë dy forcat që do të përplasen mes tyre, në stadiumin e Buenos Airesit në orën 23:10 të së hënës, në një klimë vjeshte argjentinase me temperature shumë të përshtatshme për të luajtur futboll.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›