E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mourinjo: Kualifikimi, meritë e të gjithëve

“E kishim ndeshjen në kontroll gjatë gjithë kohës dhe nuk rrezikuam për asnjë moment. Donim të ishim të sigurt, pavarësisht asaj që ndodhte në Kiev. Ky kualifikim në këtë grup të vështirë është meritë e të gjithëve, nga Hulio Sezar, te Baloteli, nga ata që ishin në fushë, tek ata që ishin në stol”.

Kështu e komenton triumfin e skuadrës që drejton Hoze Mourinjo, duke vlerësuar lojën sulmuese. “Kur ju thashë para konferencës se do të luanim për të fituar, prisja që dikush ta kuptonte se do të luanim me një skemë plotësisht sulmuese. Në mesfushë patëm katër lojtarë fantastikë: në fillim Stankoviç e më pas Kambiaso, Mota, që për mendimin tim ishte më i miri në fushë dhe Shnajder na dhanë ekuilibrin e nevojshëm në lojën tonë”, theksoi portugezi.

E pashmangshme pyetja mbi skuadrën të cilën “I veçanti” do donte të kishte përballë në fazën tjetër: “Të gjitha janë të vështira. Janë dy anglezet, Reali, Sevilja, që dikush mund ta mendojë një skuadër të lehtë, por që në fakt është shumë e vështirë, po ashtu edhe Bordo, që luan mirë dhe shënon shumë. Nuk e di se cilën do të preferoja. Çelsin sepse është në historinë time? Nuk e di nëse është Çelsi në historinë time, apo jam unë në historinë e Çelsit”.

Në fund, edhe një “thumb” për “kushërinjtë” e Milanit. Në lidhje me skemën sulmuese që përdori në ndeshjen e mbrëmshme dhe krahasimi me skemën që përdor Leonardo te Milani, Hoze Mourinjo tha: “Interi ishte si Milani i Leonardos? Po, Milani i leonardos është skuadra e parë në histori që luan me këtë skemë”.

Ndërkohë, nuk ka kaluar pa pasoja kualifikimi për zikaltrit, pasi Samuel dhe Stankoviç kanë mbetur të dëmtuar dhe do të mungojnë në takimin ndaj Atalantës në kampionat. Të dy kanë pasur problem në kofshë, por më e rëndë duket se është situate për mbrojtësin argjentinas, që duhet të presë deri në janar për t’u rikthyer.

                                                                                             

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›