Mourinjo mbyll dyert, tifozët protestojnë
Në stërvitjen e zikaltërve, portugezi ndalon hyrjen, por si përgjigje merr vërshëllimat e para
Ndalohet hyrja në fushën e stërvitjes së Interit, por tifozët i përgjigjen me vërshëllima vendimit të Hoze Mourinjos. Ndodhi sot në Riskone di Bruniko, në zonën malore ku Interi është grumbulluar. Është kundërshtimi i parë kundër trajnerit portugez, ndër të tjera gjatë një stërvitjeje normale, ku nuk është se provoi skemat e tij "sekrete". Gjithçka ndodhi kur tifozët zikaltër, të ardhur edhe nga larg, për të parë punën e kampionëve të Italisë, zbuluan se dyert e hyrjes në tribunën e vogël të fushës ishin të mbyllura.
Sipas disa mbështetësve, nuk ishte bërë asnjë paralajmërim, ndërsa, sipas disa të tjerëve, një gjë e tillë dihej, por shumë përkrahës nuk ishin informuar. Pas vërshëllimave, tifozët u përpoqën të gjenin ndonjë mënyrë për të ndjekur idhujt e tyre në largësi. Ndërkohë, i ardhuri i fundit në kampin zikaltër, Amantino Mansini, ka shprehur kënaqësinë e tij që ndodhet mes një grupi kampionësh. "Shoh një grup shumë të motivuar, një trajner që ka dëshirë të tregojë vlerat e tij. Personalisht, ndihem shumë mirë. Do të jetë një vit i mrekullueshëm, - është parashikimi i brazilianit. - Të gjithë më duan. Nuk kam probleme, as keqardhje. Historia ime me Romën ishte e bukur. Përfundoi mirë, pas pesë vitesh të mrekullueshme."
MAIKON DHE KRESPO - Nga një brazilian te një tjetër. Dagllas Maikon është i bindur që Interi këtë vit do të bëjë gjëra të mëdha. "Kemi një organikë lojtarësh që na lejon të synojmë çdo veprimtari, - tha anësori i djathtë. - Kush zbret në fushë dhe nuk luan mirë, u jep një mundësi të tjerëve, këtu ka shumë konkurrencë." Në fund, edhe Hernan Krespo beson te një vend titullari në sezonin e ri: "Nuk më ka shkuar asnjëherë ndër mend ta lija Interin, ky diskutim nuk ia vlen ta bësh më. Trajneri pastaj ka folur shumë mirë për mua, dhe kjo përjashtoi një shitje timen. Unë do të përpiqem të luaj sa më shumë të jetë e mundur, duke e ditur që në skuadër ka shumë sulmues".
RIBAS TE DIZHON - Manovra të mëdha në merkaton zikaltër, por Branka dhe Oriali duhet të zgjidhin problemin e reduktimit të organikës (Mourinjo kërkon 24 lojtarë dhe tani ka 27). Jo rastësisht, dje u shit për 1 milion e gjysmë euro te Dizhoni (Seria B franceze) me titull përfundimtar uruguajani Sebastian Sezar Helios Ribas, sulmuesi 20-vjeçar me pasaportë komunitari, i cili u zbulua në turneun e Viarexhios me skuadrën e tij të atëhershme, Atletiko Juventud.
KOUTINJO - Nga ana tjetër, Interi ka komunikuar dje se ka blerë "Paton" e ri, 16-vjeçarin Koutinjo i Vasko de Gamës. Për talentin e ri, që do të jetë zikaltër që nga 2010-a, kur të mbushë 18 vjeç, Morati do të paguajë 3,8 milionë euro në tri vite.
DAKURT - Oliver Dakurt është gati të kthehet në fushë. Mesfushori francezi, që vjen pas një dëmtimi të rëndë, i pësuar sezonin e shkuar, do të jetë gati për miqësoren e sotme ndaj skuadrës arabe Al Hilal. Dakurti synon të jetë edhe në miqësoret e tjera verore, por, para së gjithash, kërkon të luajë në Superkupën e Italisë, më 24 gusht, kundër Romës: "Ndoshta do të jetë edhe Toti, - deklaroi francezi, - dhe unë shpresoj që të jetë, sepse është një mik i imi dhe një lojtar i madh. Roma dhe Interi në tri sezonet e fundit kanë qenë dy skuadrat më të mira italiane. Pak nga pak, po e rimarr veten dhe në fillim të kampionatit do të jem gati si shokët e mi. Duam të fitojmë gjithçka që është e mundur, por konkurrenca do të jetë e tmerrshme, duke parë Juven, Romën, Milanin e Fiorentinën".