E Diel, 1 Nëntor 2026

Mozaiku i Tiranës, do të shpallet zonë e mbrojtur arkeologjike


Mozaiku i Tiranës i njohur si i vetmi monument arkeologjik brenda territorit të qytetit të Tiranës dhe zbuluar në vitin 1972 gjatë punës për ndërtimin e pallateve të ish bllokut "Partizani" në lagjen nr. 9 të pritet të shpallet zonë e mbrojtur me potencial të lartë arkeologjik pas gjetjeve të reja në rrethinat e tij në vitet e fundit. Propozimi është bërë nga drejtoria rajonale e kulturës kombëtare në Tiranë përmes një harte të zonës së Mozaikut dhe një projekti të hartuar ndaj Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Specialisti restaurues Klejdi Zguro vlerëson se një ndër shkaqet e përshpejtimit të këtij projekti është ekspansioni urban i ndërtimeve të reja në zonën përreth mozaikut midis rrugës Muhamet Gjollesha dhe Naim Frashëri.
Sipas autorëve, zona e Mozaikut është qendra urbane e shekujve të parë pas Krishtit që në fillim të shek. III u zëvendësua me një vilë rustica. Ndërsa salla me Mozaik ishte e pajisur dhe me një absidë si ambienti kryesor dhe mendohet edhe që në shek. V-VI vendin e vilës e zuri një bazilikë paleokristiane. Pjesa e gërmuar e monumentit është nën mbrojtjen e Institutit të Monumenteve të Kulturës ndërsa gjatë viteve 2003-2004 punimet e sistemimit të rrugëve dhe instalimeve të ndryshme zbuluan pranë rrethimit të monumentit pjesë të tjera të kompleksit si vaskat e fermentimit të mushtit të rrushit, pjesë të tjera muresh në dy pika të ndryshme dhe tre stela varresh të periudhës romake.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›