Mozaiku i burgosur
U është dashur të zvarriten poshtë telash për të vizituar një monument. Një rrogë e pashlyer dhe kujdesi i munguar, mban mozaikun e Linit peng. Një çift turistësh nga Austria, prof. dr Ë.J.Lehmann, pedagog pranë Universitetit të Kalifornisë dhe zonja e tij Heide, një gazetare e njohur dhe studiuese arti, po zhvillojnë një turne turistik nëpër Shqipëri. Pasi vizituan Beratin e Voskopojën mbërritën në Pogradec me të vetmin synim, të shihnin mozikun e Linit e më pas Manastirin e Shën Naumit në Maqedoni. Por nuk ishte edhe aq e thjeshtë. Duhej një autorizim nga ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ylli Pango, apo Drejtoria e Monumenteve. "Është urdhër kategorik. Më kanë thënë që mozaikun ta mbuloj me rërë dhe derën ta mbyll me kyç", - thotë Qazim Avdullaj, i biri i përgjegjësit të mozaikut, Lefter Avdullajt. Sa i përket arsyes "atë e dinë ata të ministrisë dhe të monumenteve". Ai tregon se para disa kohësh disa televizione të huaja filmuan mozikun dhe erdhën me një shkresë zyrtare nga Ministria e Kulturës. Më pas Qazimi thotë se familja e tij është kujdesur rreth 40 vjet për mozaikun, që kur është zbuluar dhe për këtë merrnin një rrogë, por ka mbi 8 muaj që Drejtoria e Monumenteve, ua ka ndërprerë rrogën dhe mirëmbajtja e mozaikut është kthyer në një punë "angari" për familjen Avdullaj. "Jemi në kapitalizëm dhe vetëm zogu këndon pa lekë tani". Por dukej se pavarësisht të gjithave, çifti i profesorëve ishte i vendosur të shihte mozaikun. Një rrugë malore gjithë gropa të çon tek mozaiku. Por dera është e mbyllur me çelës. Një tufë bagëtish kullot brenda zonës së mozaikut. Prof. Lehmann ndoqi pikërisht rrugën nga ishin futur bagëtitë. Një zvarritje poshtë telit me rrjetë vetëm për të parë mozikun. Ky moment nuk mund të shpëtonte pa një fotografi, të cilën ata menduan t'ia dërgojnë ministrit të Turizmit, për të treguar se si të huajt vizitojnë monumentet e kulturës në Shqipëri. Por kaq nuk mjaftoi. Moziku ishte i mbuluar gati me 1m trashësi rëre dhe ishte e pamundur që ta zbuloje. Ata ishin gati ta zbulonin vetë, por nuk kishin mjete. "E kisha ëndërr ta shikoja këtë mozik, i cili në llojin e ndërtimit të tij është unikal në të gjithë Europën", - tha profesori, i cili kishte lexuar shumë për këtë monument.
***
Sapo del në majën e Qafë Thanës sytë dhe mëndjen ta rrëmben një bukuri krejt e veçantë poetike.Gadishulli i Linit i futur i tëri në liqen, që ngjan si një kryqëzor i madh i ankoruar në bregun e liqenit me shtëpitë e vendosura njëra pas tjetrës. Dikur ka qënë një qytet i lashtë me emrin e Lyhnida (që do të thotë Dritë) emri është marrë nga liqeni. Dhe gjurmët e lashtësisë i has në shumë vënde. Këtu ndodhet Bazilika e ndërtuar midis shek. të V dhe VI,nga perandori me origjinë Ilire Justiniani, ndodhen rrënojat e kishës paleokristiane e periudhës së Romës së lashtë që daton me shekullin e IV e të V, Kisha Bizantine tek mullinjtë e Linit, apo vendbanimet e vjetra në kodër tek Zagragjet, apo palafitet në Buqezë.
Por më i spikaturi dhe i njohuri në gjithë Europën është mozaiku i Linit. Një bazilikë që i takonkohës së lulëzimit të mozaikut, sidomos në pellgun e Mesdheut. Ky mozaik daton me kohën e Justinianit perandor me origjinë Ilire në shek e VI të erës sonë. Në qendër ndodhet salla kryesore, ku zhvilloheshin ceremonitë fetare, ku kishte dy vendkalime gjysmë rrethore të shtruara me mozaikë, e cila në qendër ka kupën e Eukaristisë dheanash ka degë dhe gjethe rrushi. Më pas në qendër të sallës janë të vizatuar peshq bletë. Ndërkohë që salla para hyrjes ka një lule me katër petale e vendosur midis katrorësh me gurë të zinj. Lulja është me gurë të kuq dhe rozë me kalime të buta deri në të bardhë, ku më pas krijohet idea e një qilimi të vërtetë. Në sallën kryesore është vizatuar një vazo e madhe me dy pallonj. Gurët e mozaikut formojnë figura, duke lëvizur sipas motiveve. Gurët e bardhë, të zinj, rozë dhe të kuq të marrë nga zalli i liqenit kanë një dimension prej 1 cm kub secili, ndërsa gurët e kaltër dhe të qelqtë janë përgatitur posaçërisht. Këto janë vlerat e këtij mozaiku, subjekt i sa e sa sesionesh shkencore. Janë këto vlera që u vlerësuan nga Ambasada Gjermane në Tiranë, e cila akordoi rreth 200 mijë euro për ngritjen e një tende mbuluese të mozaikut. "Ambasada lëvroi 160 mijë eurot e para dhe Drejtoria e Monumenteve solli një firmë ndërtimi nga Tirana, e cila ngriti një tendë gjigante me konstruksion metalik dhe 12 shtylla që mbanin tendën. Ndërkohë që gjatë punimeve të vinçave gjigantë që ngritën konstruksionin metalik u prish rrethimi anësor dhe barinjtë e fshatit po e përdornin tendën e mozikut për të futur tufat e lopëve dhe të bagëtive, kur është vapë dhe bie shi", - thotë përgjegjësi Lefter Avdullaj. Tashmë mozaikut iu shtua edhe një e keqe e madhe, dëmtimi i tij nga thundrat e bagëtive, ndërsa tenda duke mos qënë funksionale ia ka ekspozuar mozaikun borës dhe shiut. Si rrugë shpëtimi u zgjodh mbulimi i mozaikut me shtresa të trasha rëre, që shkojnë deri në 1m. Përgjegjësi Lefter Avdullai që kujdeset prej 40 vjetësh për këtë mozaik thotë se tashmë ka ardhur momenti më kritik për mozaikun. Ai thotë për gazetën "Shekulli" se i ka nisur 5 shkresa alarmante për gjendjen e mozaikut Institutit të Monumenteve dhe nuk ka marrë përgjigje.