"Shumë zhurmë, por asgjë nuk duket në horizont"
Shumë kohë po kalon,shumë zhurmë po bëhet, por në fund të fundit, asgjë nuk po shohim konkretisht. U krijua një dikaster i veçantë, që quhet ALUIZNI, për legalizimet e u plotësuan gjithë ata formularë, dokumente, fotografi. U bë fotografim ajror, që kushtuan jo pak për buxhetin e shtetit dhe përfundimi deri me tani, vetëm disa tapi të shpërndara që numërohen me gishta. Ka vite që flitet për Kartat e Identitetit, por kur do të arrihet të pajisen qytetarët me to, nuk dihet. Flitet për ujë dhe drita në zonat turistike 24 orë, por si është realiteti tani si fillim? Rritja e çmimeve që për shumicën e popullsisë është e papërballueshme, u tha që do të kompensohet 100%, por kur do t'i japë efektet dhe si do të kompensohen ato që punojnë në ndërmarrje private? Flitet për rregullimin e infrastrukturës në zonat rurale, kur në zonat urbane lënë shumë për të dëshiruar. Kërkohet profesionalizëm në punë dhe kjo zëvendësohet me militantizëm. Bëhen shumë reklamime, por sa janë objektive? Këto e shumë e shumë të tjera, besoj se do të shfaqen me fuqi shumë të madhe, kur të fillojnë fushatat për zgjedhjet parlamentare dhe të pushtetit lokal. Vërtetë populli ka detyrimet e veta ndaj shtetit, por fuqia e vogël ekonomike për t'i përballuar qoftë taksat, dritat, ujin e të tjera, është shumë e vogël. Por shteti, nëpërmjet ligjit, duhet të jetë katalizatori i këtyre punëve, duke të bërë të ndërgjegjshëm se me këto mundësi ekonomike që ka çdo familje t'i përballojë këto probleme sociale. Vërtet jemi një popull i vogël në numër, por me halle shumë. Mos vallë ne, si popull, kemi lindur për të mbajtur një grup njerëzish dhe për t'u shtypur po nga ky grup njerëzish!
Faleminderit gazeta "Shekulli"!