Mozaikun e inspekton ministria: Do t’ikthejmë imazhin
TIRANE-Zëvendësministrja e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Suzana Turku inspektoi dje punimet në mozaikun e Muzeut Kombëtar në Tiranë, duke vlerësuar se "është një vepër e rrallë e trashëgimisë sonë kulturore". Në një prononcim për mediat, Turku tha se "kjo vepër është ndërtuar rreth 30 vjet më parë dhe sigurisht që vetë koha, kushtet atmosferike e kanë dëmtuar", duke shtuar se "është një rast i mrekullueshëm, që pas 30 viteve krijohet mundësia për të studiuar të gjitha dëmtimet që ka pësuar ky mozaik". Duke u ndalur te restaurimi i mozaikut, zv/ministrja Turku tha se "kjo është faza e parë e një projekti, i cili do të vazhdojë më vonë, ku po hulumtohet dhe po studiohet për të gjitha dëmtimet që ka pësuar ky mozaik nga specialistët e Institutit të Monumenteve të Kulturës dhe Drejtoria Rajonale e Tiranës". Turku bëri të ditur se "pasi të mbarojë procesi i hulumtimit dhe të bëhet studimi, do të ketë një tjetër projekt, ku do të fillojë menjëherë ndërhyrja". Ndërsa drejtori i Drejtorisë Rajonale të Kulturës Kombëtare në Tiranë, Arbër Kadia tha se "mozaiku është në një gjendje të dëmtuar. Problemet kryesore që vihen re janë në pjesën e materialeve lidhëse që nuk janë lidhur në mënyrën e duhur me llaçin", duke shtuar se, "ky është një proces i gjatë restaurimi, i cili kërkon kohën e vet dhe ne si specialistë do ta trajtojmë atë me gjithë rëndësinë që ai kërkon". Mozaiku "Shqipëria" është më i madhi i këtij lloji në vend. Ai u përurua bashkë me Muzeun Historik Kombëtar në vitin 1981. Artistët që kanë realizuar mozaikun "Shqipëria" janë: Vilson Kilica, Aleksandër Filipi, Agim Nebiu, Josif Droboniku dhe Anastas Kostandini. Drejtoria Rajonale e Kulturës Kombëtare në Tiranë dhe Instituti i Monumenteve kanë rreth 2 muaj që kanë nisur procesin e restaurimit të këtij mozaiku. Për momentin, shuma që do të kërkojë përfundimi i punës së nisur nuk është e përcaktuar. Kjo sipas Kadisë, do të jetë e qartë pas përfundimit të fazës së parë të punës.
(d.b/GSH/BalkanWeb)
(d.b/GSH/BalkanWeb)