Mposhtet Rihanna, poshtërohet Bieber

Në një mbrëmje ku artistët fituan duartrokitjet e një salle të mbushur me yje të muzikës dhe kinematografisë, e me qindra fansa të zgjedhur, Justin Bieber, përjetoi një moment të vërtetë “poshtërimi”, teksa u vërshëllye gjatë performancës.
Ai ishte i pranishëm në “2013 Billboard Music Awards”, zhvilluar në Las Vegas, gjatë së dielës mbrëma.
Kanadezi Bieber befasoi në sensin negativ publikun, duke interpretuar në rolin e një alieni, që dilte nga anija e tij jashtëtokësore.
Megjithatë, vërshëllimat nuk ndikuan në vlerësimin e jurisë, e cila nderoi 19-vjeçarin me tre çmime gjatë mbrëmjes.
Taylor Swift ka rezultuar fituesja më e madhe në çmimet që ka shpërndarë revista Billboard. Ajo është nominuar 11 herë dhe ka arritur të fitojë 8 çmime, ndër to edhe atë të Artistes më të mirë.
Gjatë këtij eventi të rëndësishëm ajo performoi hitin e saj me titull “22”.
Swift mposhti Rihanën, e cila u klasifikua e dyta përsa i përket çmimeve, pasi fitoi 4 të tilla. Ndonese ishte e nominuar ne dhjete kategori, RiRi nuk mori pjese ne ceremonine e ndarjes se shperblimeve.
Nicki Minaj fitoi çmimin e artistes më të mirë Rep duke mposhtur artistë mjaft të mirë të nominuar në këtë kategori.
Edhe Madona u vlerësua me tre çmime,duke përfshire edhe atë si Artistja më e mirë Dance.
“Faleminderit që më keni mbështetur për tre dekada. Pa ju nuk do të isha këtu”, u shpreh Madona. /Indeksonline/