Mrekullitë ndodhin në Manchester

Kapiteni Vincent Kompany e përshkruan triumfin e Manchester Cityt në Premierligë si ‘mrekulli’, pas fitores në minutat shtesë ndaj Queens Park Rangers në ndeshjen e xhiros së fundit të dielën.
City ishte duke humbur 2-1, kur QPR ishte me dhjetë lojtarë në fushë pas 90 minutave, por gjatë kohës shtesë skuadra e Mancinit arriti që për pesë minuta të shënonte dy herë, për të bërë kështu të pavlefshme fitoren 1:0 të Manchester Unitedit kundër Sunderlandit.
Edin Dzeko në minutën e 92-të dhe Sergio Aguero dy minuta më vonë arritën që dëshpërimin ta kthejnë në gëzim për lojtarët dhe tifozët e Cityt.
“Mrekullitë ndodhin në Manchester, por kësaj radhe në të mirën tonë. Kjo ndeshje ishte e çmendur, nuk ka fjalë tjetër në botë për ta përshkruar atë. Mënyra se si përfundoi takimi ma kujton ndeshjen me Totternhamin, kur fituam në kohën shtesë dhe Sunderlandin, kur arritëm që të barazojmë për të marrë pikët që bënë diferencën për ne”, tha Kompany.
“Kur Aguero shënoi, ishte një tollovi e madhe. Pasi përfundoi gjithçka, ne e fituam ligën. Ne jemi kampionë, por kjo nuk ka të bëjë me atë se kemi ardhur këtu për para, pasi kemi dëgjuar shumë histori për këtë. Ne e kemi ëndërruar këtë gjithë jetën prej kur ishim fëmijë. Tani jemi kampionë dhe kjo është e gjitha”, tha në fund kapiteni i Cityt.
Kurse menaxheri i Cityt, Mancini, ka thënë se ekipi i tij ka merituar të jetë kampion pas rikthimit të jashtëzakonshëm në fund. “Pesë minuta para fundit nuk mendoja se do të fitonim këtë takim, por ishte një fund i çmendur në një sezon të çmendur”, tha Mancini.
“Pas kësaj ndihesha si një 90 vjeçar. Kanë qenë 90 minuta të tmerrshme, por ne fituam në fund dhe jam krenar për lojtarët e mi. Të mposhtësh një ekip të fortë si United është fantastike dhe ne e merituam titullin. Ndoshta herën tjetër është më mirë të fitojmë pesë minuta përpara. Kjo ishte shumë e vështirë dhe shpresoj që kjo është hera e fundit që ne fitojmë në këtë mënyrë.”, shtoi ai.
Mancini po ashtu ka thënë se kjo ishte një ndeshje e pabesueshme dhe do të jetë shumë e vështirë për t’u përsëritur.
Në anën tjetër, sulmuesi Sergio Aguero, i cili këtë sezon ka shënuar 23 gola, u shpreh se ky i fundit ishte më i rëndësishmi në karrierë.
“Mendimi im i vetëm ishte që ta dërgoja topin në rrjet. Natyrisht ky ishte goli më i rëndësishëm në karrierë. Të shënosh gol në minutat e fundit dhe të fitosh titullin jam i sigurt se kjo nuk do të më përsëritet sërish”, tha argjentinasi.