Vit i dështuar i Barcelonës

Kur përmendet emri i Barcelonës, nuk jemi mësuar që të flitet për sezone dëshpëruese. Por, ky i fundit ishte vërtet i tillë për skuadrat e këtij qyteti në sporte të ndryshme, përfshirë futbollin, basketbollin dhe hendbollin.
Në muajin e fundit, Barcelona përveç që humbi garën për titull në La Liga, që i takoi Real Madridit, mbeti edhe pa trajnerin Pep Guardiola, i cili paralajmëroi largimin e tij nga detyra në fund të këtij edicioni.
Një hap mbrapa për dallim nga sezoni i kaluar, e aq më tepër që nuk duhet harruar se në verën e shkuar shpenzoi 60 milionë euro për transferimin e dyshes Cesc Fabregas dhe Alexis Sanchez.
“Tani është koha për shpresë. Shpresë se në sezonin e ardhshëm do të kthehemi edhe më të fuqishëm. Por, nuk mund të them se kemi kaluar një sezon të keq, kemi fituar tre trofe, kurse na pret edhe një finale e Kupës”, deklaroi Xavi.
Barcelona fitoi Superkupën e Evropës, Superkupën e Spanjës dhe Kampionatin botëror të klubeve, por skuadrës i mungojnë dy ‘trofetë kryesorë’- ai në La Liga dhe Ligën e Kampionëve.
“Dy garat kryesore nuk i kemi fituar - La Ligan dhe Ligën e Kampionëve, por na ka munguar pak edhe fati. Epoka e Barcelonës nuk ka marrë fund. Guardiola do të largohet, por ne duam të hakmerremi”, deklaroi portieri Victor Valdes.
Një fakt që mund të shërbejë si ngushëllim është loja atraktive e ekipit dhe bilanci i sulmuesit Lionel Messi, i cili realizoi 72 gola në të gjitha garat, rekord 50 në La Liga, por që në fund nuk u mjaftuan atyre të rrëmbejnë ndonjë titull të rëndësishëm.
“Nuk e meritojmë të shkruhet për një sezon të keq. Jemi ekipi më i mirë në botë, ndaj nesh të gjithë mbrohen e kështu do të jetë edhe sezonin e ardhshëm. Do të fitojmë sërish”, deklaroi Fabregas.
Prej kur Guardiola mori drejtimin e Barcelonës më 2008, skuadra ka fituar në 72 për qind të ndeshjeve.
Dëshpërim edhe në basketboll
Gjatë verës do të formohet një skuadër e re e Barcelonës në basketboll. Dy vite më parë gjiganti katalan triumfoi në Evropë, kurse këtë edicion u eliminua në gjysmëfinale nga Olympiacosi. Një vit më parë nuk arriti as në Final Four. Legjenda Juan Carlos Navarro pritet të qëndrojë në skuadër, por të gjithë të tjerët spekulohet se janë në shitje. Njësoj si futbollistëve, edhe basketbollistëve nuk u mjaftoi loja atraktive. 20 fitore
Koha për ndryshime edhe në hendboll
Së bashku me Kielin konsideroheshin favoritë për triumf në Ligën e Kampionëve në hendboll. Por, Barcelona u eliminua në çerekfinale nga Coppenhagen, kurse në fazën e grupeve i mposhti edhe CO Zagrebi. Në Spanjë do ta mbrojnë titullin, por katalanëve u intereson më tepër triumfi kontinental. Nagy do të largohet sigurt, Igropulo ka nënshkruar për Fuchsen, kurse edhe shumë hendbollistë të tjerë janë në dyshim.