E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muaji i 13-të dhe 14-të

Zhvillimi fizik e ai psikomotor i fëmijëve të vitit të dytë

Deri tani kam shkruar mjaft gjëra të veçanta për zhvillimin fizik dhe atë psikomotor të fëmijëve të vitit të parë të jetës, muaj pas muaji. Tashmë i ka ardhur radha vitit të dytë të jetës, vit ky që zhvillimi psikomotor i fëmijëve lidhet me dy karakteristika të veçanta. Së pari: gjatë këtij viti fëmijët fillojnë të jenë më të pavarur në lëvizjet e tyre, pra në funksione të ndryshme e të përcaktuara të trupit të tyre. Ata, fitojnë aftësinë për të pirë e për të ngrënë vetë; për t’u veshur e zhveshur; janë në gjendje të përdorin uturakun e disa edhe WC-në; arrijnë të ecin lirisht, të ngjitin e të zbresin shkallët apo të vrapojnë gjithë ngazëllim. Së dyti: zhvillimi i tyre social dhe ai emocional çojnë në ndryshime të veçanta të sjelljes shoqërore të fëmijës. Kështu ai fillon ta kuptojë se vetë ai por, edhe njerëzit e tjerë janë persona të pavarur; fillon gjithashtu të jetojë plotësisht me ndjenjat e të tjerëve, por ama, fillon edhe të realizojë vullnetin e tij. Të gjitha këto çojnë gradualisht në zhvillimin e autonomisë dhe fitimin e pavarësisë së fëmijës. Le të fillojmë me muajin e 13 dhe të 14-të.

Të kuptuarit mund të përmblidhen në faktet se në këto dy muaj, fëmija thotë me kuptimin më të plotë “ma ma” “ba ba”. Jo vetëm kaq, por përveç tyre thotë edhe dy tre fjalë të tjera si “mam” për ushqimin, “mau” “humi” për macen dhe qenin etj. Është në gjendje të tregojë pothuajse të gjitha pjesët e emërtuara të trupit si syrin, veshin, gojën etj.

Zhvillimi i lëvizjeve të mëdha. Godet topin me këmbë në drejtimin përpara, e gjithashtu arrin që ta hedhë atë me duar. Përveçse përkulet dhe drejtohet vetë pa ndihmë, ecën mirë dhe ngjit shkallët, fillon të qëndrojë me një këmbë për disa sekonda dhe gjithashtu të ecë praptazi.

Zhvillimi i lëvizjeve fine bëhet më i gjerë. Nëse ka në dorë një lapës fillon të zhgaravisë në mënyrë spontane. Nxjerr stafidhen nga shishja (diametri i grykës së shishes 1.5 cm) dhe e tregon atë me kënaqësi të madhe. Ndërton kullë me dy kuba.

Zhvillimi vetjak shoqëror. Në këtë moshë fëmija është bërë më shoqëror, tregon dëshirat e tij pa qenë e domosdoshme që të qajë. Fillimisht imiton nënën duke bërë gjoja punët e shtëpisë, vajzat më shumë, por, më tej vërehet se vërtetë fillon të ndihmojë në kryerjen e punëve të thjeshta të shtëpisë. Zhvesh vetë rrobat p.sh., tutat e tij apo çorapet.

Zhvillimi fizik (pesha dhe gjatësia) tashmë nuk kanë më ritmet me të cilat ato ecnin gjatë vitit të parë. Kështu, nëse pesha nga lindja deri në një vjeç trefishohej gjatë vitit të dytë ajo rritet mesatarisht vetëm 2-2.5 kg dhe gjatësia, nga dyfishimi i gjatësisë së lindjes gjatë vitit të parë, në vitin e dytë fëmija mesatarisht zgjatet 13-14 cm. Një foshnje femër, në 13-14 muajshe do të peshonte mesatarisht 9.8-10.2 kg dhe do të ishte 75.5-77 cm e gjatë. Një foshnje mashkull do të peshonte mesatarisht nga 10.4-10.8 kg dhe, do të ishte 77.5-79 cm i gjatë:

Përgjigjet

Dr Çimi, kam një fëmijë dy javësh të lindur ne kohë por me operacion, me peshë 3.2 kg. Gjatë shtatzënisë nuk kam pasur ndonjë problem. Në vizitën e parë në këshillimore më thanë se fëmijën e kam mjaft mirë. Shqetësimi im është fakti se çdo ditë vërej tek ai se trembet shpejt dhe çdo herë tund, për pak sekonda, duart dhe këmbët. Duart i mbledh pranë trupit, mbi gjoks. Ju lutem a mund të më shpjegoni nëse zhvillimi i fëmijës tim mund të ketë probleme? Ju faleminderit, Klodiana S!

E nderuar mami Klodi! Nga sa më shkruani ju, duke u bazuar edhe në fjalën e kolegëve të mi të këshillimores se fëmijën e keni mjaft mirë, më lejoni t’ju them pa asnjë hezitim se fëmija juaj nuk ka asnjë shenjë për t’u bërë merak lidhur me zhvillimin e tij psikomotor. Sidoqoftë, për të hequr çdo lloj dyshimi, po shkruaj ndonjë konsideratë për trembjet dhe refleksin që paraqet fëmija, kjo për ju dhe për të gjitha nënat e reja.

Fëmijët e porsalindur, por edhe më të rritur, e kanë shumë të shprehur fenomenin e të tremburit nga zhurmat e ndryshme, qoftë edhe me intensitet jo të lartë, tundjet e ndryshme, marrjet në krahë me vërtik etj. Ky fenomen ka të bëjë edhe me paeksperiencën e tij, edhe me papjekurinë e plote të trurit, por edhe për shkak të reflekseve të tij të lindura që e mbrojnë atë. Ndër këto reflekse, më të qartë e të kuptueshëm, do të përmendja refleksin e kërkimit të gjirit, të kapjes dhe të thithjes së tij që e ndihmon për t’u ushqyer. Apo refleksin e kollës që e mbron fëmijën nga kalimi në rrugët e frymëmarrjes i qumështit të gjirit apo pështymës së vet.

Le të vijmë tek fëmija juaj. Zgjatja e menjëhershme e krahëve dhe mbledhja po ashtu e menjëhershme e tyre mbi gjoks, ndonjëherë edhe mbledhja e këmbëve mbi bark, që ndodhin në të gjitha rastet që përmenda më lart, është një refleks i zakonshëm që ne e quajmë refleksi Moro, sipas emrit të mjekut gjerman që e ka përshkruar për herë të parë. Burimi i këtij refleksi është një mbeturinë e historisë sonë të lashtë dhe mund ta vëzhgojmë nëse shkojmë në një park zoologjik me majmunë. Ky refleks i tremb prindërit, ashtu sikurse edhe ju, qoftë për ndonjë defekt në zhvillimin e tyre e qoftë për dyshime se mos kemi të bëjmë me ndonjë lloj epilepsie. Në fakt nuk është as njëra dhe as tjetra. Ky refleks hyn në reflekset normale të të gjithë fëmijëve të porsalindur, që zvogëlohet muaj pas muaji e qëzhduket plotësisht aty nga fundi i muajit të gjashtë. Reaksioni Moro është i pakëndshëm për fëmijët dhe ata mund të reagojnë me të qara, prandaj, këshilla do të ishte ta mbroni nga zhurmat, lëkundjet e befta apo marrjet e tyreme vërtik në krahë.

Përshëndetje

Dr. Çimi

TË VJELLAT

Ka shkaktarë që prishin ekuilibrin hidroelektrolitik të organizmit me të vjella ose diarre, vetëm me diarre, vetëm me të vjella, me diarre dhe të vjella njëkohësisht.

Ka rëndësi se cila nga këto dy ankesa fillon e para, dhe a ka shenja të tjera shoqëruese, si temperaturë, dhimbje barku etj. Të vjellat shoqëruar me diarre shpesh shkaktohen nga viruse që ndjekin rrugën e ushqimit. Ethet bëjnë të dyshosh edhe për origjinën bakteriale. Shkaqet janë të panumërta, por në më mënyrë të përmbledhur shkaqet kryesore që japin të vjella janë:

-enjtja e erozioni i mbështjellës së brendshme të stomakut( gastritit)

-ulçera e stomakut, pengesa mekanike të zorrës, verdhëza, gurët në tëmth, ose veshka

-temperatura e lartë zakonisht me infeksion

-infeksioni i veshit të mesëm

-dhimbja e kokës nga migrena, dëmtime traumatike të kokës, tumoret e kokës, infeksionet e trurit.

-shtatzënia

-disa medikamente, sidomos ato që përdoren si kemioterapi tek kancerozët.

-arsye psikologjike, siç janë shoku emocional ose nuhatja e aromave që ngacmojnë të vjellat

-disa sëmundje si pamjaftueshmëria e veshkës, shoku, koma diabetike, hipoglicemia, hiperkalçemia

-mbingrënia

-pirja mjaft e tepruar e alkoolit

-substancat irrituese të sistemit tretës

-reaksionet alergjike etj.

Zgjatja dhe vazhdimi i të vjellave dhe diarresë çon në humbjen e lëngjeve, pra në prishjen e ekuilibrit të domosdoshëm jetik, hidroelektrolitik.

Trajtimi i të vjellave. Shtrihu nëse ke mundësi në një dhomë të qetë, duke mbajtur pranë krevatit një legen. Mos tento të frenosh të vjellat. Mos merr si fillim asnjë lloj ushqimi apo mjekim. Shmang të gjitha përdorimet e mundshme, si frutat, lëngjet, alkoolin, apo kafen, pijet me gaz etj. Pas të vjellave, stomaku lihet bosh dhe i qetë për rreth dy orë. Pastaj mund të hamë pak copa të vogla akulli. Nëse nuk ndodhin sërish të vjellat, provohet të pihet pak lëng molle i holluar, ose ndonjë lëng tjetër frutash. Nëse pas pirjes së tyre nuk ndodhin të vjellat, rrisim ngadalë marrjen e lëngjeve të frutave. Nëse ka të vjella, atëherë rifillo lënien në qetësi të stomakut dhe pas dy orësh rifillo marrjen e copave të vogla të akullit. Dymbëdhjetë deri tetëmbëdhjetë orët e para merr: copa të vogla akulli, ujë, lëng molle të holluar, pije pa gaz, sodat pa kafeinë, akullore me lëng frutash, çajra pa kafeinë.

Në dymbëdhjetë orët në vazhdim, pasi lëngjet janë toleruar mirë, provo sasira të vogla të bananes, ndonjë supe jokalorike, biskota të thata, orizit të bardhë, pure ose patate të ziera, ose drithëra pa qumësht.

Pa 24 orësh shto: grurë pa qumësht, vezë të mjaft të zier( vetëm e bardha), mish zogu pule të gatuar( hiqja lëkurën) të paskuqur, mish viçi pa dhjamë.

Gjatë dy tre ditëve në vazhdim shtoje gradualisht ushqimin, kryesisht kosin, frutat, mos u ngut të përdorësh ushqimet e forta. Nëse të vjellat dhe diarreja nuk ndalin, vijnë duke u shtuar, dhe/ose janë agresive del nevoja e trajtimit mjekësor dhe spitalor.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›