Vlorë, mbyllet festivali folklorik mesdhetar
Vlorë- Pjesëmarrësit e 8 grupeve të ndryshme mesdhetare kanë qëndruar për katër mbrëmje në pika të ndryshme skenike të Vlorës, në kuadrin e edicionit të katërt të festivalit folklorik mesdhetar.
Tradita tashmë e kthyer në një të përvitshme ka sjellë në mbrëmjen vlonjateatmosferën e folkut të shumë vendeve. Vëmendja e ceremonialit të përmbylljes së festës së folkut medhetar në orët e vona të mbrëmjes së djeshme është përqëndruar në sheshin e Skelës, ndërsa interesimi ka qenë i dukshëm.
Ashtu si çdo vit grupet kanë përshëndetur me numra të zgjedhur në përmbylljen e festivalit folklorik, duke propozuar një buqetë këngësh e vallesh që vijnë nga tradita të ndryshme, apo larmi kostumesh të këtyre zonave.
Maqedonia, Turqia, Shqipëria, Kosova, Egjipti, Mali i Zi, janë ngjitur në skenë me më të mirat e tyre të këtyre ditëve. Shqipëria është përfaqësuar në këtë festival nga ansambli i Tiranës dhe ansambli Çamëria i Vlorës.
Qytetarët e shumtë, apo edhe pushues qe ndodhen keto dite në Vlorë kanë shijuar tinguj nga treva te ndryshme, ku per rreth dy orë duartrokitjet kane shoqëruar natën që mbylli festivalin dhe përfaqësuesit e folklorit, para sheshit të Pallatit të Sportit.
Përgjatë katër netëve, folkloristët kanë dhënë shfaqje në tre skena të ndryshme. Veç skenës në qendër të qyteti te monumenti i Pavarësisë, pikat e tjera kanë qenë para Pallatit të Sportit dhe tjetra pranë plazhit.
Në ditën e djeshme që mbylli dhe festivalin janë shpërndarë certifikata, shoqëruar me emblemën e bashkisë së Vlorës, e cila ishte financuese e këtij festivali.