Inertet dhe mbeturinat pushtojnë Pyllin e Sodës
Vlorë- SOS për pyllin e Sodës vijon edhe këtë verë, ku hedhjet e mbeturinave inerte dhe të tjera urbane janë kthyer në një dukuri të zakonshme për këtë zonë të gjelbëruar.
Alarmi vjen nga ndërmarrja pyjore në Vlorë, e cila ndihet tashmë e pafuqishme për të ndërhyre të frenojë hedhjet, të cilat sa vijnë dhe shtohen. Shefi i policisë pyjore në këtë ndërmarrje, Agron Ruka pohon se nga nisja e pyllit të Sodës dhe deri në vazhdim të zonës pyjore drejt zonës së Triportit ka një hedhje të konsiderueshme inertesh dhe mbeturina të tilla, sa po dëmtojnë seriozisht sipërfaqen pyjore.
Veç bizneseve, të cilët hedhin lëndët e panevojshme, si ato të përpunim drurit, e sidomos ato të ndërtimit, frekuentimi i zonës nga pushuesit ka bërë që të rritet hedhja e mbeturinave urbane.
Ruka theksoi nevojën e një bashkëpunimi institucional edhe me struktura të tjera, bashkëpunim, i cili deri tani vlerësohet i munguar. Sipas tij vetë pyjorja nuk ka infrastrukturë të tillë sa të monitorojë gjithë zonën dhe as mjete shtrënguese për drejtuesit e automjeteve që hedhin inertet në mënyrë të vazhdueshme në këtë zonë.
Në lidhje me vijimin e ndërtimeve pa leje, Ruka tha se ka të tilla edhe pas kalimit të afatit të legalizimit, vec atyre që janë kryer në vitet e mëparshme. Janë rreth 15 ndërtime të evidentuara pas përfundimit të afatit të legalizimit tha Ruka, ku ne I kemi të regjistruara, por ndërhyrja për to i përket policisë ndërtimore.