E Shtunë, 31 Tetor 2026

Tiranë, grabitja e bankës mbetet pa autor

Policia ka shoqëruar disa persona në komisariat por ende nuk ka mundur të zbulojë identitetin e grabitësve me armë

TIRANË- Ende mister tre autorët që grabitën filialin e bankës NBG dy ditë më parë në kryeqytet. Seksioni i vjedhjeve me armë nuk ka mundur të zbulojë identitetin e tre personave që grabitën bankën NBG që ndodhet në kilometrin 9-të në autostradën Tiranë-Durrës, pavarësisht hetimeve intensive. Burime nga policia thanë se punonjësit e bankës kanë mundur të japin shumë pak detaje rreth të dhënave të grabitësve duke mos krijuar lehtësira për policinë e cila po heton për identifikimin dhe kapjen e tyre.

Ndërkohë, që ditën e djeshme, policia ka mundur shohë regjistrimet e kamerave të sigurisë së bankës, por burimet thanë për “Shekullin” se nuk kanë siguruar asnjë detaj fizik që mund t’i çojë në zbulimin e autorëve. Kamerat kishin regjistruar disa sekuenca të grabitësve të cilët ishin të maskuar dhe të armatosur. Burimet policore shtuan se po punohet për të identifikuar autorët e kësaj grabitjeje ndërsa janë shoqëruar disa persona si dhe janë verifikuar me dhjetëra makina të cilat përkonin me atë që përdorën grabitësit për tu larguar. Grabitja ndodhi mesditën e së premtes në kilometrin e nëntë në autostradën Tiranë-Durrës, ku ndodhet një filial i bankës greke NBG. Tre persona të armatosur dhe me maska kanë hyrë në ambientet e brendshme të bankës dhe kanë urdhëruar klientët dhe punonjësit të mos lëviznin por të vepronin sipas udhëzimeve të tyre. Njëri prej grabitësve ka shkuar në një nga arkat e bankës duke kërcënuar punonjësen t’i dorëzojë paratë, në të kundërt do ta vriste. Nën kërcënimin e automatikut, personi i panjohur ka marrë shumën e parave dhe ka dalë me shpejtësi pas tij dhe dy bashkëpunëtorët e tjerë. Mësohet se tre autorët janë larguar me shpejtësi me një automjet duke iu shpëtuar prangave të policisë. Kjo e fundit e njoftuar nga punonjësit e bankës mbërriti menjëherë për të bërë këqyrjen e provave. Në vendin e ngjarjes mbërritën edhe oficerët e seksionit të vjedhjes me armë të cilët kanë marrë në pyetje dëshmitarët e grabitjes. Burime nga policia thanë se duke iu referuar deklaratave të punonjësve të bankës, grabitësit ishin me maska dhe të armatosur ndërsa i përkisnin moshës 25-30 vjeç. Ndërkohë që pas bilancit paraprak të kryer nga autoritet e bankës rezulton se grabitësit kanë marrë një shumë prej rreth 15 milionë lekë të vjetra. Deri mbrëmjen e djeshme policia nuk ka mundur të identifikojë autorët duke deklaruar se po hetojnë intensivisht për të rënë në gjurmët e tyre.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›