Muaji i Ramazanit, kryeministri Berisha shtron iftar

Për të nderuar muajin e shenjtë të Ramazanit për të gjithë besimtarët myslimanë por edhe në respekt të të gjithë atyre që agjëruan, kryeministri i vendit Sali Berisha ka shtruar një iftar në prezencë të besimtarëve dhe të trupit diplomatik në Shqipëri. Duke uruar për mbarësi dhe në anën tjetër duke shprehur mirënjohje për sakrificën e agjërimit, kryeministri Berisha tha se Shqipëria ka traditën e shkëlqyer të tolerancës fetare.
Me tej, Berisha u tha myslimanëve, se në botë ka përpjekje e përplasje për përdorimin e librave të shenjtë dhe përdorimin e besimeve për interesa të caktuara politike.
Iftari i shtruar nga kryeministri Berisha ka mbledhur së bashku drejtues të Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, të Kryegjyshatës Botërore të Bektashinjve, myfti, imamë, intelektualë islamë, drejtues të tjerë të bashkësive fetare si ambasadori amerikan në Tiranë Aleksandër Arvizu, atë të BE-së Ettore Sequi, si dhe përfaqësues të tjerë të trupit diplomatik.