Lunaçek: Nuk do pranojmë një tjetër Qipro në Evropë

“Bashkimi Evropian nuk do të pranojë në asnjë mënyrë, që rasti i Kosovës të shndërrohet në një Qipro tjetër”. Këtë porosi, e ka dhënë raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, Ulrike Lunaçek, e cila theksoi se në fund të fundit, Serbia do të duhet ta respektoj shtetin e Kosovës.
Eurodeputetja austriake Ulrike Lunaçek është shprehur e lumtur që kancelarja gjermane, Angela Merkel dha porosi të qarta në Beograd dhe ishte e drejtpërdrejtë.
“Askush në Bashkimin Evropian, me aq sa kuptoj unë, nuk do ta pranoj edhe një Qipro tjetër. Mendoj se në fund do të jetë e pashmangshme që Serbia ta respektoj pavarësinë e Kosovës”, ka thënë eurodeputetja austriake Lunaçek.
Sipas saj, nëse nuk ka progres në dialog, duke nënkuptuar këtu edhe marrëdhëniet e mira ndërfqinjësore, është e pamundur që Serbia të marrë statusin e vendit kandidat.