E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kupa, një malazez eliminon Milanin

Juventus eliminon Milanin në Kupën e Italisë, pas barazimit në ndeshjen e kthimit në Torino. Nuk kanë mjaftuar 90 minuta lojë në përballjen e mbrëmshme mes Juventusit dhe Milanit, për të nxjerrë gjysmëfinalisten e këtij kompeticioni. Në fakt, pas 2-1 të fituar në Milano nga Juventus, ishin kuqezinjtë që u kthyen reston bardhezinjve këtë herë në fushën e këtyre të fundit. Golit të Alesandro del Pieros në pjesën e parë iu kundërpërgjigj Mesbah dhe Maksi Lopez në fraksionin e dytë të lojës. Në këtë mënyrë, takimi çoi në shtesë dhe, vetëm 6 minuta nga starti i shtesës së parë nga 15 minuta, ishte Mirko Vuçiniç që shënoi një gol për antologji futbolli. Nga më shumë se 35 metra, malazezi lëshoi një predhë gati nga vendi me topin që përfundoi në trekëndëshin e djathtë të mbrojtur nga Amelia. Më pas, Milani u mundua të shënonte golin që do ta kualifikonte atë për më tej, por pa arritur që të realizojë. Kështu, pas 120 minutash lojë, është Juventus që kalon më tej në Kupën e Italisë, ndërsa Milanit i mbetet të mbajë fort kreun e renditjes në kampionat dhe të provojë në Kupën e Kampioneve, ku javën tjetër do luajë përballë Kampionëve të Europës, Barcelonës.

Skeda
Juventus    2 (2)
AC Milan    2 (1)
Shënues: Del Piero 28′, Vuçiniç 96′/ Mesbah 51′, M.Lopez 81′
Juventus: Storari, Lihtshtajner (Kaseres 90′), Bonuçi, Kielini, De Çelie, Vidal, Pirlo, Xhiakerini, Pepe (Markisio 63′), Del Piero (Borrielo 74′), Vuçiniç. Trajner: A.Konte
Milan: Amelia, Antonini, Mekses, Tiago Silva, Mesbah, Sedorf, Muntari, Akuilani (Noçerino 68′), Emanuelson, El Sharavi (Inzagi 78′), Ibrahimoviç (M.Lopez 46′).
Trajner: M.Alegri

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›