E Shtunë, 31 Tetor 2026

Gërdeci, “mëkatet” e tre gjeneralëve

 

Trazhgim Sokolaj

Gjeneralët e pandehur nga Prokuroria për tragjedinë e Gërdecit, asnjëherë nuk i pranuan akuzat e ngritura ndaj tyre. Megjithatë në dosjen penale të hartuar gjatë hetimit, më shumë se gjysma e saj flet për veprimet abuzive dhe shpërdorimin e detyrës nga gjeneralët e ushtrisë shqiptare. Duke filluar që nga ish-Shefi i Shtabit të Përgjithshëm Luan Hoxha, i cili fajësohet më tepër nga kontrata e dytë për predhat e artilerisë së rëndë, MEICO-SAC-Albademil, e nënshkruar në dhjetor 2007 si dhe nga vendimmarrja për caktimin e Gërdecit si rajon demontimi për municionet e dala nga përdorimi ushtarak. Më pas në dosje, flitet për shkeljet e dy gjeneralëve të tjerë të pandehur, Shpëtim Spahiu dhe Zija Baja. Më poshtë vijon publikimi i pjesëve nga dosja e Prokurorisë.
I pandehuri Shpëtim Spahiu, me gradë Gjen. Brigade, ish- komandant i Komandës së Forcës së Bashkuar (KFB), ka urdhëruar drejtues të komandave dhe strukturave vartëse, për periudhën 28 prill 2007–15 qershor 2007: të vënë në dispozicion të ALBADEMIL sh.p.k pronën nr.126 “Ish- Brigada e Tankeve”, Gërdec-Vorë; të lejojë përfaqësuesit e këtij subjekti privat, të prishë objekte (ushtarake dhe civile) në inventarin e kësaj prone; të lejojë përfaqësuesit e shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k të kryenin punime për ndërtimin e infrastrukturës për ç’montimin dhe çmilitarizimin e municioneve, si dhe; të fillojë procesi i çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, pa lidhur më parë kontratë qiraje me këtë subjekt dhe pa administruar asnjë dokument të nevojshëm për ndërtimin e strukturës së përkohshme industriale për çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve.
Ka kryer veprime dhe mosveprime në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, duke ju shmangur detyrimeve për të garantuar realizimin e një procesi të sigurtë në çmontimin dhe çmilitarizimin e municioneve të kalibrave 7.62mm –14.5mm në pronën nr. 126, në administrim të komandës që ai drejtonte.
Këto veprime dhe mosveprime, i kanë sjellë pasoja të rënda shtetit: pronës në administrim të KFB- së në vlerë 2 167 180,4 leke, që përfshin: - vlerën 81 396 lekë të 5 objekteve të prishura, me sipërfaqe të përgjithshme 296 m2, si dhe - vlerën 2 085 784.4 lekë të qirasë së papaguar nga shoqëria ALBADEMIL sh.p.k për sipërfaqen 9834 m2 të truallit dhe sipërfaqen 743 m2 të objekteve të shfrytëzuara prej kësaj shoqërie në periudhën e përmendur më sipër.
Ka lejuar shoqërinë ALBADEMIL të ndërtojë strukturën e përkohshme industriale për çmontim dhe çmilitarizim të municioneve në një zonë të pronës nr. 126, afër qendrës së banuar, zonë në të cilën nuk sigurohej mundësia e marrjes së masave të plota për eliminimin e ngjarjeve të jashtëzakonshme, si dhe ka lejuar magazinimin e municioneve dhe nënprodukteve të nxjerra nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve në pronën në administrim të tij jashtë standardeve të licencimit.
I pandehuri Shpëtim Spahiu, në bashkëpunim me të pandehurin Shkëlzen Madani, ish-drejtor i DMIMB, me synim realizimin e përfitimeve të padrejta të shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k, ka dhënë me qira sipërfaqen e truallit 200 m2 në pronën nr. 126, me kontratën e qirasë nr. 4342/1, datë 26. 06. 2007, të lidhur ndërmjet KFB- së, përfaqësuar prej tij dhe qiramarrësit “kontraktori” shoqëria ALBADEMIL sh.p.k, përfaqësuar nga i pandehuri Mihal Delijorgji. Në lidhjen e këtyre kontratave të firmosura në zyrën e tij, janë kryer veprimet e kundraligjshme si: -kontratat e qerasë për truallin dhe objektin e përmendur më sipër janë lidhur me subjektin “kontraktor” shoqërinë ABADEMIL, të paautorizuar nga urdhri i Ministrit të Mbrojtjes nr.550, datë 25. 04. 2007, i vendosur si mbështetje ligjore në lidhjen e kësaj kontrate; -  lidhja e kontratave është bërë pa pasur grafik kohor, gen- plan/planimetri të miratuar prej tij dhe nga organi i qeverisjes vendore, si dhe pa pasur leje ndërtimi për strukturën e përkohshme; -kontrata për sipërfaqen 66.5 m2 objekt i është dhënë të njëjtit subjekt mbi sipërfaqen e lejuar pa konkurrim.
Gjithashtu, i pandehur Spahiu edhe pas lidhjes së kontratave, në periudhën 26. 06. 2007 -  25. 10. 2007, ka lejuar shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k, të shfrytëzojë sipërfaqen 10310,5 m2 të pronës nr. 126, të pakontraktuar.
I pandehuri Shpëtim Spahiu, në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari, kanë rënë dakord dhe nënshkruar akt- marrëveshjen, nr. 4343, datë 26. 06. 2007, për të drejtat dhe detyrimet e KFB- së dhe MEICO- s, në shkelje të akteve ligjore dhe nënligjore, në raport me procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve, që do të kryhej në “Ish- Brigadën e Tankeve”, Gërdec, duke parashikuar veç të tjerave, në nenin 3 pika 5, pika 6, paragrafët tre dhe katër, që ndërmarrja MEICO: -  të sigurojë ruajtjen e depove të municionit, linjës teknologjike të çmontimit dhe çmilitarizimit, si dhe nënprodukteve të tyre; -  të mbajë dokumentacionin ditor dhe mujor për procesin e çmontimit dhe çmilitarizimit si dhe; -  të përpilojë konformmarrje të sasisë së municionit të çmontimit dhe çmilitarizimit.
I pandehuri Shpëtim Spahiu, nuk u ka bërë të njohur gjithë strukturave vartëse, VKM nr.138, datë 14. 03. 2007 dhe urdhrin e MM nr.550, datë 25. 04. 2007, të dalë në zbatim të tij. Ai, nuk ka nxjerrë urdhër me shkrim për komandat dhe strukturat vartëse, për zbatimin e urdhrit të MM nr. 550, datë 25. 04. 2007 për normimin e rregullave të ruajtjes së territorit/pronës nr. 126 “Ish- Brigada e Tankeve” Gërdec- Vorë, në administrim të KFB- së, si dhe për rregullimin e regjimit të hyrje-daljeve në këtë territor të punonjësve civilë të punësuar nga subjekti privat, në fazën e ndërtimit të strukturës industriale dhe më pas në realizimin e procesit të çmontimit dhe çmilitarizimit të municioneve.
I pandehuri Zija Baja, me gradë ushtarake Gjen.Brigade, ish- komandant i Komandës Mbështetëse (KM), ka urdhëruar strukturat ushtarake vartëse për nxjerrjen nga grup-depot e KM municionet e kalibrave 7.62- 14.5 mm dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, pa verifikuar dhe garantuar për sigurinë dhe shmangien e ngjarjeve të jashtëzakonshme nga ky proces. Ka nxjerrë urdhrin nr. 1648/1, datë 08. 05. 2007, “Për dorëzim municioni ndërmarrjes “Meico”, pa pasur një grafik të përbashkët lidhur me sasitë e lëvizjes së municioneve dhe grafikun e transportit me ndërmarrjen “MEICO”, si dhe nuk ka lidhur kontratë/aktmarrëveshje me këtë ndërmarrje për mbulimin e shpenzimeve të transportit prej saj, për t’ju faturuar shoqërisë ALBADEMIL sh.p.k.
Me këto veprime dhe mosveprime, ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 35 389 246 lekë, si dhe ka sjellë dëmtimin e interesave te ligjshme te shtetasve, duke mos garantuar në këtë mënyrë të drejtat dhe liritë themelore të shtetasve lidhur me jetën, shëndetin dhe pasurinë publike e private ne rajonin e Gërdecit nga depozitimi i municioneve të dërguara që kanë qenë burim rreziku të shtuar për ngjarje të jashtëzakonshme.
Ka urdhëruar verbalisht kryerjen e transportit të municioneve të kalibrave 7.62- 14.5 mm të (KFB), duke mos lidhur kontratë/aktmarrëveshje me KFB dhe MEICO- n, për të parashikuar grafikun e transportit të municioneve dhe shpenzimet e transportit. Me këto veprime dhe mosveprime ka sjellë pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 997 623 lekë.
Ka urdhëruar nxjerrjen e municioneve kalibër 8 mm nga grup- depot e KM dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, në mungesë të një grafiku të përbashkët me ndërmarrjen “MEICO” dhe duke mos parashikuar përballimin e shpenzimeve të transportit në lidhjen e kontratës/aktmarrëveshje të transportit me Ndërmarrjen “MEICO”.
Me këto veprime dhe mosveprime, ka sjellë si pasojë dëmtimin e interesave të ligjshme ekonomike të shtetit në vlerën 49 046 lekë.
Ka autorizuar vartësit për nxjerrjen e urdhrit me të cilin është lejuar nxjerrja nga grup- depot e KM të municioneve/shtimjeve me gëzhoje tunxhi te kalibrave 20mm- 152mm (jo të vegjël) dhe kryerjen e transportit të tyre për në Gërdec, pa miratuar grafik të përbashkët me ndërmarrjen “MEICO” dhe pa lidhur kontratë/aktmarrëveshje me Ndërmarrjen “MEICO” për mbulimin e shpenzimeve të transportit.
I pandehuri Zija Baja, ka nxjerrë urdhrin Nr.434/1 datë 01/02/2008 me bashkëfajësi me persona të tjerë, duke vënë në dispozicion të ndërmarrjes “MEICO” dhe firmës ALBADEMIL sh.p.k, mjetin e tipit TC- 135 fadromë, pa palidhur kontratë për shërbimin përpara fillimit të punimeve të palëve, duke lejuar që fadroma të punonte jashtë destinacionit.
Lejet e eksportit
I pandehuri Ardian MULLAHI, ish- Sekretar i Përgjithshëm i Ministrisë së Mbrojtjes, në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari, kanë dhënë leje për eksport shoqërisë SAC inc, për materialin barut të dalë nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve të kalibrit të vogël, për sasinë 700 ton, ndërkohë që ky subjekt nuk ishte i licencuar nga Komisioni i Posaçëm dhe në mungesë të certifikatës së përdoruesit të fundit.
I pandehuri Adriatik Mema, ish- Sekretar i Përgjithshëm i MM në bashkëpunim me të pandehurin Ylli Pinari kanë ndihmuar shoqërinë ALBADEMIL sh.p.k në dhënien e lejes së eksportit nr. 7438, datë 29. 10. 2007, për materialin “barut” të dalë nga çmontimi dhe çmilitarizimi i municioneve, në sasinë 700 ton; si dhe të lejes së eksportit nr. 8824, datë 17.12.2007 për koka fisheku të kalibrit 7.62 mm. Dhënia e këtyre lejeve të eksportit për këtë shoqëri është kryer ndërkohë që: -  shoqëria ALBADEMIL sh.p.k nuk ka qenë subjekti kontraktor, siç parashikonte urdhri nr.550, datë 25.4.2007; - ky subjekt nuk ishte i licencuar nga Komisioni i Posaçëm; si dhe - ky subjekt nuk kishte certifikatën e përdoruesit të fundit.

Takimet e Ylli Pinarit me ortakun e Delijorgjit që paraprinë Gërdecin

TIRANE – Personazhi kyç i tragjedisë së Gërdecit, Ylli Pinari, emri i të cilit del në çdo fazë të hetimit dhe në çdo provë të zbuluar gjatë hetimeve të Prokurorisë, ka zhvilluar disa takime në Tiranë me biznesmenin amerikan që “mbuloi” përfshirjen e Mihal Delijorgjit në biznesin e Gërdecit. Sipas akt-akuzës së Prokurorisë së Përgjithshme, rezulton se më 27 shkurt 2006, i pandehuri Ylli Pinari, ish-drejtor i Ndërmarrjes “MEICO” (Military Export Import Companny) të Ministrisë së Mbrojtjes (MM), ka rënë në kontakt me Patric HENRY III, përfaqësues i shoqërisë amerikane “Southern Ammunition Company Inc” (SAC inc). “Në kontaktet e realizuara me postë elektronike, telefon dhe takime të drejtpërdrejta në Tiranë, në periudhat 1-4 mars dhe 29 qershor–1 korrik 2006, Patric HENRY III i ka shfaqur interes të pandehurit Ylli Pinari për blerjen e municioneve me gëzhojë tunxhi që dispononte ushtria shqiptare dhe që nuk ishin pjesë e armatimit të saj, duke kërkuar fillimisht blerjen për çmontimin dhe çmilitarizimin e tyre në SHBA”, thuhet në dosjen e Prokurorisë. Gjithçka ka ndodhur më pas, kanë qenë një sërë urdhrash të Ministrisë së Mbrojtjes dhe një mobilizim i pazakontë i ushtrisë në shërbim të kompanive private që operuan në Gërdec derisa ndodhi tragjedia e 15 marsit 2008.                           t.s

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›