Mufka diplomatike
Tre ambasadorët më të rëndësishëm (i SHBA-ve, i OSBE-së dhe i BE-së) ishin para dy ditësh në Vlorë. Ishin të shoqëruar nga Presidenti i Republikës. Apo ishin ata që shoqëronin Presidentin? Nuk u mor vesh mirë kjo gjë. Ajo që u mor vesh është se ata mbajtën nga një fjalim. Fjalimi i ambasadorit të OSBE-së ishte më i rëndësishmi. Pse? Sepse ish publikuar në gazeta në formën e një editoriali. Kam veçuar do momente nga ky fjalim. Më ngjajnë me alamet xhevahiresh, e prandaj më është dukur e udhës ti shoqëroj me ndonjë ndërhyrje timen:
1. Si profesionist në fushën e jetës publike dhe diplomacisë, ku përfshihet edhe eksperienca me zgjedhjet, komentet e mia sot duhen parë thjesht si pika të mundshme diskutimi në seminare të ardhshme. [Shumë pretencioze kjo frazë. Në fakt, kush i shkon deri në fund fjalimit, nuk besoj se arrin të identifikojë pika të mundshme diskutimi në seminare të ardhshme]
2. Zgjedhjet publike përbëjnë kohën kur qytetarët e thjeshtë kanë mundësinë të zgjedhin, duke qenë të informuar, midis platformave të partive të ndryshme politike dhe midis kandidatëve të ndryshëm se kush duhet të drejtojë zonën e tyre. Dallimi i zgjedhjeve të qeverisjes vendore qëndron në vetë faktin se ato janë vendore. [Wow! Besoj se nuk ka mbetur njeri pa u ndriçuar nga ky katekizëm politik, që ti sjell të vërtetat llokum në gojë]
3. Në kontekstin aktual shqiptar . ka vend për optimizëm. Unë besoj se zgjedhjet e ardhshme vendore bazohen tashmë në lista më të mira zgjedhësish, pas krijimit nga Ministria e Brendshme të një regjistri të ri të gjendjes civile dhe të një sistemi të adresave në zbatim të një projekti prej miliona eurosh të financuar nga Bashkimi Europian dhe të zbatuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri. Një nga rezultatet e drejtpërdrejta të projektit është numri shumë më i vogël i dublikimeve të emrave të njerëzve mbi 100 vjeç në listat e zgjedhësve që, siç e dimë, ka ndodhur në zgjedhjet e kaluara. Ky duhet të shërbejë si element pozitiv për zgjedhjet e tanishme dhe ti bëjë qytetarët shqiptarë të besojnë vërtet se vota e tyre ka rëndësi. [Hë, më të lumtë! Ky është një optimizëm bajagi i shëndetshëm. Më duket se raportin post-zgjedhor e paskan bërë gati qysh tani]
4. Sa i përket çështjes shumë të diskutueshme të sagës së kasetave të gatshme nga partitë politike, sinqerisht mendoj se është shumë herë më mirë që gazetarët të raportojnë duke pasur akses të drejtpërdrejtë në aktivitetet publike. Thënë kjo, kasetat e gatshme nuk janë gabim në vetvete, por kur transmetohen në televizion, duhet të thuhet qartë që janë material i partive politike, në mënyrë që shikuesit të mund të dallojnë gazetarinë nga ajo çfarë është thjesht reklamë e partive politike. [Wollfarth-i do duhej të na e kursente pohimin, që transmetimi i kasetave të gatshme nuk është gabim në vetvete, nëse shoqërohet me sqarimin se këto kaseta janë të përgatitur nga partitë. Ky është një pohim trashanik. E përse u dashka vallë tu transmetokan kasetat e partive në TV? A e di zotëria se në televizion bëhet gazetari, dhe se kasetat e partive nuk kanë asnjë lidhje me gazetarinë? Jo, jo, mund të më thonë, ambasadori thjesht mendon që këto kaseta bartin mesazhe publicitare; dmth janë reklama. Reklama? Reklama që transmetohen gjatë lajmeve? Fiu!]
5. Jam i sigurt se në krahasim me dy zgjedhjet e fundit, Policia e Shtetit do të arrijë të ngrejë nivelin e suksesit në shkallë më të lartë. [Ashtu? Qysh kur kështu? Apo qysh nga momenti që keni marrë vesh se zv.ministri i Ministrisë së Rendit pa ministër ka urdhëruar një drejtor policie të shkojë tua tregojë vendin militantëve të opozitës?]
6. Javën e kaluar po udhëtoja me makinë me bashkëshorten në periferitë e Tiranës dhe rrugës u shkëmbyem me një numër të pazakontë makinash ku valëviteshin flamuj blu dhe të kuq. Edhe pse mund të jetë argëtuese deri diku dhe ndodh në shumë vende të tjera, të gjitha partitë politike duhet të kenë parasysh se nuk është ideale ti trajtojnë rrugët e Shqipërisë si të ishin pistat e Silverstone-it apo Hockenhein-it. [Është e vetmja pjesë nazike e një fjalimi të mërzitshëm. Krahasimi i rrugëve të Shqipërisë me pistat e garës Formula One është i lezetshëm. Por do donim të na bënte dy saktësime. Së pari, ka parë vërtet makina me flamuj të PS-së, apo e thotë këtë për të qënë i balancuar në vëzhgimin e vet? Së dyti, duhet sakëtsuar ajo fraza e tij kjo ndodh në shumë vende. Në cilat vende ka parë makina që vijnë vërdallë me flamuj elektoralë për 30-40 ditë rresht?]
