Muhedini: Duam takim me Berishën, meritojmë ministri
TIRANË - Partia për Drejtësi dhe Integrim do ta ketë të vështirë përfshirjen e saj në qeverisje. Deri më tani, PDI-ja, e cila përfaqësohet me një deputet në Kuvend, nuk është thirrur ende nga Berisha. Në një interviste për gazetën "Shekulli", kryetari i PDI-së, Tahir Muhedini, deklaroi se nëse Berisha do t'i lërë jashtë kabinetit të ri qeveritar, atëherë kjo do të jetë fyerje për PDI-në.
Z. Muhedini, a kanë filluar negociatat mes jush dhe Partisë Demokratike për qeverisjen e ardhshme?
Partia Drejtësi për Integrim ka bërë aktmarrëveshjen me Partinë Demokratike, për bashkëqeverisje parazgjedhore dhe bashkëqeverisje paszgjedhore. Kjo është bërë në mënyrë institucionale, ndërmjet kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berishës dhe PDI-së. Partia jonë në zgjedhjet e 28 qershorit doli parti fituese, parti parlamentare. Ne, edhe sikur të mos merrnim mandat, kishim një lloj kontrate që në bazë të kontributit që kishim, do të vlerësoheshim për të bashkëqeverisur katër vitet e ardhshme. Ne jemi parti parlamentare, kemi një mandat, por konkretisht nuk kemi bërë asnjë negociatë deri më sot. Menduam se pas mbarimit të negociatave me LSI-në dhe me Partinë Republikane, do ta kishim ne radhën për të bërë negociata, por siç duket, nuk ka asnjë shenjë nga PD-ja dhe ne jemi në pritje.
Si e vlerësoni një qëndrim të tillë të z. Berisha?
Kryesia e partisë, elektorati ynë është i shqetësuar që pse partia jonë nuk po thirret në negociata, dhe deri në këtë moment që flasim nuk kemi asnjë lloj kontakti me Berishën. Ne mendojmë se është Sali Berisha ai që do ta vlerësojë këtë moment negociatash. Ne kemi qenë në pritje dhe jemi në dispozicion për negociata, por për to vendos zoti Berisha, i cili vetëm ai e di më mirë se si po e mendon këtë vonesë.
Nëse Kryeministri Berisha nuk u thërret për negociata edhe në ditët e ardhshme, cila do të jetë lëvizja juaj?
Kryesia e Partisë për Drejtësi dhe Integrim, ka marrë një vendim se çfarë i kërkon Berishës dhe i ka dërguar një kërkesë me shkrim para 15 ditëve, por nuk kemi marrë asnjë përgjigje dhe jemi duke pritur. Bashkëpunimin me Partinë Demokratike e shikojmë si një bashkëpunim afatgjatë, në mënyrë konstante. Nëse Berisha nuk do të na japë post në qeveri, besoj se do të na japë edhe arsyen pse nuk do të na e japë. Megjithatë, ne jemi përgatitur që të marrim një mandat, një portofol ministror. Nëse Berisha nuk na thërret në qeveri do të jetë fyese. Nuk besoj se z. Berisha të shkojë deri aty sa ta fyejë një forcë parlamentare, siç është Partia për Drejtësi dhe Integrim. Partia jonë ka një elektorat që i ka shërbyer Berishës për 19 vjet, që është elektorati shqiptar çam. Berisha ka një detyrim ndaj këtij elektorati.
Cilin post ministror pretendon partia juaj?
Partisë sonë për shtat i shkon Ministria e Jashtme ose Ministria e Integrimit, meqë ka problematikë për një çështje kombëtare, e cila ka të bëjë edhe me faktorin ndërkombëtar. Por, konkretisht, ne në kërkesën që kemi bërë, duke menduar që këto janë ministri të rëndësishme dhe Ministrinë e Jashtme e ka marrë LSI-ja, ne kemi kërkuar Ministrinë e Punës dhe Ministrinë e Bujqësisë. Kjo është kërkesa jonë, por faktikisht ne nuk kemi hyrë ende në negociata se çfarë mund të marrim. Ne jemi të përgatitur për këto katër vitet e ardhshme, për bashkëqeverisje me Partinë Demokratike, i kemi edhe kapacitetet.
Nëse Berisha iu ofron post zëvendësministri, ju do të binit dakord?
Kryesorja është kjo që ne duam të hyjmë në negociata me Berishën. Ne jemi një grup prej tre vetash të përcaktuar nga Kryesia e Partisë. Më kanë caktuar mua si kryetari të grupit negociator, Ardian Tanon dhe deputetin Dashamir Tahiri. Ajo çfarë do të na ofrohet nga Kryeministri Berisha në takimin për negociatat, do t'ia paraqesim Kryesisë së Partisë, dhe kjo e fundit do të marrë vendim për postet që do të na ofrojë Sali Berisha. Nuk e kam unë në dorë si kryetar partie, këtë e ka vendos Kryesia e Partisë.
Intervistoi: Bardhi Quku
********
Dt, 7 korrik
PDI: Çështja çame të njihet ndërkombëtarisht
TIRANË- Ndryshe nga republikanët, për Partinë Drejtësi dhe Integrim nuk është shumë
i rëndësishëm përfaqësimi i tyre në nivel ministror, sesa mënyra se si do të përcillet çështja
çame në arenën ndërkombëtare. Kryetari i PDIsë, Tahir Muhedini, ka deklaruar se kjo parti
do të kërkojë përfaqësimin e saj në delegacionin parlamentar shqiptar në Asamblenë e
Këshillit të Europës, me qëllim ndërgjegjësimin e çështjes çame në arenën ndërkombëtare.
"Deputetët e Kuvendit Shqiptar, sa herë që shkojnë në seanca plenare në Parlamentin
Evropian, diskutojnë çështje të minoritetit grek dhe asnjëherë nuk ka diskutuar për
këtë problem madhor, që ka popullsia shqiptare çame. Që dhe deputetët e Parlamentit
Evropian kanë mbetur të habitur, si ka mundësi vijnë këta deputetët këtu në seance plenare dhe
diskutojnë vetëm për çështjen e minoritetit grek. Kështu që me hyrjen e partisë sonë në
Parlamentin Shqiptar, kjo do jetë pika numër 1 e jona, kryesore. Do kërkojmë që në grupin që
do caktohet, të përfaqësohet me një deputet që të ngrejë çështjen kaq madhore, çështjen çame", - tha Muhedini.
Ai shtoi se PDI-ja po harton edhe një rezolutë, për të cilën do të kërkojë
votimin në Kuvend. "Rezoluta do ketë problematikën që ka popullsia shqiptare çame. Nuk
ka rezoluta për të hyrë në luftë me shtetin grek. Rezoluta ka ato pikat, që ka kjo popullsi shqiptare çame. Kjo popullsi shqiptare çame sot është 300 mijë banorë dhe akoma më keq është që këtu është një parti për të drejtat e njeriut, që vetëm ka emrin në mënyrë simbolike, sepse në qoftë se ka në gjithë kufirin e Shqipërisë popullsi që i janë mohuar të drejtat elementare, është popullsia shqiptare çame",- tha ai. Muhedini shtoi se PDI-ja nuk lëviz nga marrëveshja paraelektorale që nënshkroi me PDnë, para zgjedhjeve të 28 qershorit.