E Shtunë, 31 Tetor 2026

Takimet me Ramën, Ndoka: Pro komisionit hetimor

TIRANË - Partia Demokristiane është partia e parë e djathtë që ndan të njëjtin qëndrim me PS-në, se zgjedhjet në Shqipëri nuk plotësuan standardet e kërkuara. Pikërisht për këtë qellim, kryetari i PDK-së, Ndoka, ka filluar negociatat me kryetarin e PS-së, Edi Rama. Në një deklarim për "Shekulli"-n, Ndoka ka konfirmuar bashkëpunimin e Partisë Demokristiane me Partinë Socialiste për një hetim administrativ të zgjedhjeve të 28 qershorit. PDK-ja i ka cilësuar standardet e këtyre zgjedhjeve si të papërmbushura, duke shtuar se ka prova të pakontestueshme, që verifikojnë deformimin e rezultatit të këtyre zgjedhjeve dhe që kanë ndikuar në rezultatin negativ të kësaj partie. Ndër të tjera, kryedemokristiani pohon se do pranojë negociatat me të gjitha ato parti, që janë pro hetimit të zgjedhjeve të 28 qershorit, qofshin këto të majta apo të djathta.
"Ne kërkojmë të rikthejmë besimin e qytetarëve te vota përtej çdo paragjykimi."- tha Ndoka. Në takimet e zhvilluara mes kreut të PDK-së dhe kryetarit të PS-së, kryesorja mbetet krijimi i një komisioni hetimor. Ngritja e komisionit hetimor është një ndër kushtet e vendosura nga selia rozë për hyrjen e deputetëve socialistë në Kuvendin e Shqipërisë. Ky vendim i opozitës, që po kushtëzon pjesëmarrjen e saj në këtë legjislacion të ri parlamentar, përkrahet edhe nga parti të krahut të djathtë, siç është PDK-ja.
Në vijim, Ndoka tha se për çështjen e fillimit të hetimeve administrative janë zhvilluar takime të ndryshme edhe me kryetarin e LZHK-së, PSD-së e PDS-së. Ndër të tjera,
ai thekson se disa ditë pas formimit të qeverisë pritet të organizohet një takim edhe me kreun e partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, me qëllim njohjen e pikëpamjeve të tyre dhe mbështetjen e idesë për ngritjen e këtij komisioni hetimor. Gjithsesi, kryetari i PDK-së theksoi se bashkëpunimi me selinë rozë do të jetë vetëm për zgjedhjet dhe zhvillimin e hetimeve administrative të zgjedhjeve. Ai mohoi mundësinë e hyrjes në koalicion me Partinë Socialiste.


8 shtator
Rama: Me bojkotin, PS-ja nis aksionin politik

TIRANË- Kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar sot se kushtëzimi i hyrjes në Kuvend nga ana e socialistëve është vetëm nisja e aksionit politik të opozitës.
"Ne kërkojmë hetim në pavarësi të plotë nga diktati i shumicës për krimin elektoral, në prani të OSBE/ODIHR-it, që janë garant i besueshëm nga të gjitha palët"- tha ai, duke shtuar se PS-ja është gati të hyjë në Kuvend nëse plotësohet kushti për hapjen e kutive të votimit dhe rinumërim të tyre për zonat që kontestojnë socialistët.
Gjatë një komunikimi me mediat, Rama e ka quajtur kuvendin jo vetëm shprehje të një deformimi të rëndë të procesit elektoral, por edhe që po afirmon që në lindjen e vet principin shumë të rrezikshëm të mungesës së plotë të vullnetit për transparencë në raport me të gjithë publikun dhe në raport me detyrimet themelore për respektimin e lirive dhe të drejtave kushtetuese të njerëzve.
"Është e qartë se në themel të kësaj mungese të plotë vullneti qëndron frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda bazën e deformimit elektoral. Frika nga hapja e kutive që mbajnë brenda dëshminë faktike të asaj që ka ndodhur në 28 qershor dhe të batërdisë që është bërë me materialin zgjedhor"- tha ai.
Sipas Ramës, përveç frikës nga hapja e kutive është edhe frika nga transparenca me të gjithë veprimtarinë e një shteti të tërë të vënë në funksion të pushtetit. Duke filluar që nga shpërdorimi i aseteve publike për qëllime elektorale, deri tek përndjekja e patregueshme e qytetarëve që sot largohen nga vendi i punës, vetëm sepse janë identifikuar si njerëz të opozitës, se kanë qenë përfaqësuesit e saj në komisione.
"Kjo shtjellon kuptimin e kushteve tona, për të garantuar demokracinë, lirinë dhe të drejtat kushtetuese, të gjithë atë shtrat barazie përpara ligjit dhe në raport me parimet dhe vlerat e panegociueshme të demokracisë, që sot është e kërcënuar nga një kuvend që dominohet me mungesë legjitimiteti dhe nesër do diktohet nga një qeveri, që lind si shprehje e deformimit dhe mashtrimit publik, duke e bashkuar atë që dukej e pabashkueshme para 28 qershorit"- tha ai.
Më tej ai ka deklaruar edhe njëherë vullnetin e forcës që drejton për ta çuar para këtë kauzë përpara, si një kauzë që nuk është ajo e një partie, por shumë më e madhe se kaq, është një kauzë që sipas tij, ka të bëjë direkt me mënyrën si funksionon jeta demokratike në këtë vend dhe kërcënimit që u bëhet përmes pushtetit të sotëm funksioneve jetike të demokracisë.



 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›