Muhedini: Duam zgjidhjen e çështjes çame pa ndryshim kufijsh
Z. Muhedini duam të themi se sa përparim është bërë për Çështjen Çame dhe deri ku kanë arritur përpjekjet Tuaja?
Mund të themi që për herë të parë Çështja Çame shkoi në Parlamentin Europian, u bënë me dije shumë eurodeputet në takimet tona, në mënyrë të veçantë znj. Doris Pack, e cila që të jemi të sinqertë nuk ishte në dijeni fare për Çështjen Çame.
Z. Muhedini çështja e popullsisë Çame quhet si joekzistente nga Greqia. Cilat janë argumentat e shtetit Grek?
Shteti Grek ka censuruar për rreth 60 vjet, për arsye se karshi popullsisë Çame është ushtruar një genocid, janë dëbuar në atë kohë nga pronat e shtëpitë e tyre, janë vrarë me mijëra vetë dhe për tju shmangur kësaj tragjedie, që ka ndodhur në vitin 1944, më 27 Qershor, spekullon kundrejt kësaj popullsie mbi 60 vjet duke thënë se është një popullsi që kanë bashkëpunuar me fashistët.
Natyrisht z. Muhedini gjatë komunizmit qeveria Shqiptare as që nuk e përmendte Çështjen Çame, por pas ardhjes së demokracisë sa lëvizje është bërë nga qeveritë e ndryshme demokratike apo socialiste?
Në vitin 1992-1996 është bërë një hap përpara mbi problemin Çam, por mund të themi që pas 1996 e deri më sot nuk është marrë seriozisht Çështja Çame. Nga Partia Socialiste 8 vjet që ishte në pushtet nuk u mor asnjëherë, dhe në këto 3 vite që jemi mund të themi që Qeveria nuk është marrë drejtpërdrejtë me problemin Çam.
Atëherë përse mendoni se Çështja Çame nuk shtohet në Parlamentin Shqiptar, cilat mund të jenë arsyet sipas Jush?
Arsyet mund të jenë ndoshta teknike ose edhe një problem që Bashkimi Europian ka caktuar shtetin Grek që të jetë mbikqyrësi i shtetit Shqiptar për të hyrë në NATO, BE dhe këtu shikojmë që ka 2 standarte, dmth shteti Shqiptar i zbaton problemet që ka shteti Grek për minoritetin Grek që ndodhet në Shqipëri ndërkohë që shteti Grek nuk i merr në konsideratë shqetësimet tona. Pra, mendoj se ka ardhur koha që shteti Shqiptar të ketë bisedime të drejtëpërdrejta me shtetin Grek të ketë një partenitet në kërkesa që si shteti Greak ashtu edhe ai shqiptar ta marrin seriozisht problematikën që ka popullsia shqiptare dhe në veçanti zgjidhjen e Çështjes Çame.
Ju vet bëni lobizëm pranë deputetëve shqiptarë që ata ta ngrejnë këtë çështje?
Që të jemi të sinqertë me deputetët shqiptar kemi takime dhe të gjithë e pranojnë që duhet marrë seriozisht zgjidhja e Çështjes Çame, por konkretisht nuk po shohim ndonjë reagim të Parlamentit Shqiptar, të deputetëve Shqiptar ose të Shtetit Shqiptar.
Atëherë Z. Muhedini, fakti që në opinionin ndërkombëtar nuk shkruhet e nuk flitet aq shumë për Çështjen Çame ndoshta nuk shkruhet e nuk flitet fare, a është kjo pasojë e asaj që Qeveria Shqiptare ose Parlamenti Shqiptar nuk e ka aq shumë për zemër këtë Çështje?
Shteti Grek prandaj ka spekulluar mbi 60 vjet dhe ecën me një strategji të gabuar duke thënë se popullsia Çame ka qënë bashkëpunuese e fashizmit, dhe sistemi i diktaturës nuk ka lënë në asnjë mënyrë që të diskutohet ose të ngrihet problemi i Çështjes Çame dhe mund t`Ju them haptaz se para një viti histrorianët grek në një universititet të Athinës e kanë diskutuar këtë problem për Çështjen e krahinës së Çamërisë dhe kanë deklaruar se karshi kësaj popullsie të pafajshme është ushtruar genocid, kjo popullsi nuk ka qenë bashkëpunëtore e fashizmit. Mendoj se shteti Shqiptar me gjithë problematikat që ka, duhet të merret me këtë Çështje sepse këtu nuk kemi të bëjmë me ndryshim kufijsh por kemi të bëjmë me mohimin e të drejtat e njeriut dhe të standarteve të kësaj popullsie.
(Zeri i Amerikes)