E Shtunë, 31 Tetor 2026

Muja: Do t’i them Gjykatës që s’jam fajtor

 Kanë mbetur edhe pak ditë para se t’i fillojë gjykimi por, kryetari i Prizrenit Ramadan Muja thotë se nuk është i shqetësuar.
Ai thotë se nuk ndihet aspak fajtor, ani pse nuk preferon të komentojë më tepër akuzat që i vihen përballë. Krejt çka ka për të thënë lidhur me to thotë se do t’ia prezantojë gjykatës.

“Nuk ndihem fajtor, komentet e mia i jap në Gjykatë”, tha ai shkurt për Express edhe pse nuk i vjen aspak mirë kur pyetet për këtë.

Gjykimi i është caktuar ditë më parë, pas një zvarritje disa mujore nga gjyqtari i EULEX-it që udhëheq me rastin Vladimir Nikula, për datën 13 të këtij muaji.

Kjo pasi Gjykata e Apelit e Kosovës refuzoi kërkesën e mbrojtësve të Mujës dhe pesë zyrtarëve të tjerë komunalë, për hedhje poshtë të aktakuzës 21 faqëshe që i ngarkon ata me shpërdorim të pozitës zyrtare me qëllim të përfitimeve personale duke dhënë disa prona shoqërore në shfrytëzim të disa kompanive private.

Përveç Mujës të akuzuar të tjerë janë edhe Sadik Paçarizi – drejtor i Urbanizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Prizren, Avni Ademaj – ish-u.d. së drejtorit të Gjeodezisë dhe Kadastrës, Kadri Ukimeri – ish-drejtor i Gjeodezisë dhe Kadastrës, Abdullah Tejeci – drejtor aktual i Gjeodezisë dhe Kadastrës dhe Minir Krasniqi – drejtor i Administratës në Komunën e Prizrenit.

Kohë më parë, gjatë shqyrtimeve fillestare gjyqtari Nikula pati aprovuar kërkesën e Prokurores që po udhëheq ndjekjen penale, Natasha Vikeri për konfiskimin e dokumenteve të udhëtimit të të pandehurve.

Muja atë kohë e pati quajtur ndjekjen që po i bëhet politike./Indeksonline/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›